Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka prezantuar zotimin e katërt të programit të tij qeverisës, i cili fokusohet në reformimin dhe modernizimin e sistemit arsimor, zhvillimin e aftësive për të ardhmen dhe krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë.
Në një konferencë për media, Hamza theksoi se arsimi është investimi më i rëndësishëm për të ardhmen e vendit dhe se një qeveri e udhëhequr nga PDK-ja do ta trajtojë këtë sektor si prioritet kombëtar.
“Arsimi nuk është shpenzim. Arsimi është investimi më i sigurt që një shtet mund të bëjë për të ardhmen e vet”, deklaroi Hamza, duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve për ndërtimin e një sistemi arsimor modern, cilësor dhe konkurrues.
Duke folur për sfidat me të cilat përballen nxënësit, studentët dhe mësimdhënësit, ai tha se rinia do të jetë në qendër të politikave të tij qeverisëse. Në këtë kuadër, Hamza premtoi krijimin e një Fondi të Bursave për Studentët në vlerë prej 30 milionë eurosh në vit.
Sipas tij, fondi do të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë për studentët, pavarësisht gjendjes së tyre ekonomike dhe sociale, duke synuar krijimin e kushteve që të rinjtë të ndërtojnë jetën dhe karrierën e tyre në Kosovë.
Ai gjithashtu premtoi forcimin e autonomisë universitare, mbështetje për kërkimin shkencor dhe zgjerimin e bashkëpunimit me universitete prestigjioze evropiane dhe botërore. “Ne duam universitete që jo vetëm japin diploma, por prodhojnë dije, inovacion dhe zgjidhje për zhvillimin e vendit”, tha ai.
Një tjetër prioritet i programit të PDK-së, sipas Hamzës, është modernizimi i arsimit profesional dhe lidhja e tij me nevojat e tregut të punës.
Ai premtoi investime në infrastrukturën e shkollave profesionale dhe përfshirje më të madhe të bizneseve në edukimin praktik të nxënësve. /Telegrafi/
