Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, përmes një videoadresimi ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në lidhje me zgjedhjen e Presidentit, duke thënë se po bëhen sërish përpjekje që fajësia t’i lihet opozitës.
Në një videoadresim në rrjete sociale, Hamza ka deklaruar se vendi, është përballur me bllokada politike “prej gati dy vitesh”, të cilat ia ka atribuar qeverisjes aktuale.
“Po shohim sërish përpjekje për t’ia hedhur fajin opozitës për dështimin e zgjedhjes së Presidentit. Prej gati dy vitesh, vendi po përballet me bllokada politike, jo për mungesë mundësish, por si pasojë e kësaj qeverisjeje të papërgjegjshme”, ka deklaruar Hamza.
Ai ka shtuar se, në vend të reflektimit, po vazhdojnë “fajësimet dhe manipulimet e zakonshme”, ndërsa “ofertat” e paraqitura në minutat e fundit i ka cilësuar si “lojë politike”.
“‘Ofertat’ në minutat e fundit nuk janë gjë tjetër veçse lojë politike për t’u arsyetuar para qytetarëve, jo përpjekje serioze për të ofruar zgjidhje”, ka theksuar Hamza.
Kreu i PDK-së ka thënë se qëndrimi i partisë së tij është parimor dhe se i tillë do të mbetet edhe në vazhdim.
“Ne nuk bëjmë pazare politike. Stabiliteti nuk ndërtohet me kalkulime politike ditore. Prandaj duhet të kthehemi te qytetarët. Le të vendosin ata për drejtimin që duhet të marrë vendi”, ka shtuar Hamza./Telegrafi/