Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka njoftuar se para dy ditësh ka zhvilluar një takim me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.
Temë e diskutimit, sipas tij, ka qenë çështja e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke thënë se dje është themeluar edhe grupi punues për hartimin e një strategjie shtetërore për apelin.
“Unë dhe kryeministri Albin Kurti jemi takuar para dy ditësh, për çka edhe e falënderoj. Dje është formuar grup punues për strategji shtetërore për apelin ndaj katërshes së UÇK-së”, ka thënë Hamza në foltoren e Kuvendit të Kosovës.
Ai ka deklaruar se procesi gjyqësor në Hagë prek themelet e shtetit të Kosovës, duke kërkuar që të respektohet sovraniteti i Kuvendit dhe duke i cilësuar të papranueshme ndërhyrjet dhe presionet ndaj ushtrimit të mandatit të tij.
Hamza ka shtuar se Kuvendi ka ndërmarrë hapa përmes miratimit të një rezolute dhe një ligji që, sipas tij, synon të garantojë drejtësi dhe pavarësi nga ndikimi i palëve.
Ai është shprehur se edhe Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të drejtën e Kuvendit për të kufizuar juridiksionin e Dhomave të Specializuara përmes ligjit, duke kërkuar që të mos ketë presion ndaj Kuvendit në ushtrimin e kompetencave të tij.
“Të nderuar kolegë, besoj se sot jemi në ditën e fundit të afatit ligjor të Kuvendit për ta proceduar këtë ligj të Presidentja për dekretim. Po ashtu, besoj shumë se edhe presidentja do ta dekretoj atë”, ka thënë ai.

