Arion Kurtaj, 21-vjeçari që në vitin 2022 vodhi dhe publikoi dhjetëra video nga versioni i papërfunduar i lojës Grand Theft Auto 6, është deklaruar fajtor për një sërë krimesh kibernetike, përfshirë sulmin ndaj kompanisë Rockstar Games.
Kurtaj, nga Oxfordshire i Anglisë, fillimisht ishte vendosur për një periudhë të pacaktuar në një spital të sigurisë së lartë, për shkak të gjendjes së rëndë të autizmit, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, pas një vlerësimi të mëvonshëm mjekësor, ai u konsiderua i aftë për t’u përballur me një gjykim penal dhe në janar u transferua në një burg të zakonshëm.
Të hënën, në Gjykatën e Woolwich Crown, ai pranoi fajësinë për sulmin ndaj Rockstar Games dhe disa sulme të tjera kibernetike që kishte kryer kur ishte 16 dhe 17 vjeç, si pjesëtar i grupit të hakerëve Lapsus$.
Sulmi ndaj Rockstar ndodhi në vitin 2022, ndërsa Kurtaj ishte në lirim me kusht për vepra të tjera të ngjashme dhe nën mbrojtjen e policisë. Ai ishte vendosur në një hotel Travelodge në Bicester, për ta mbrojtur nga hakerë rivalë që e kërcënonin për shkak të rezervave të Bitcoin-it që kishte vjedhur.
Edhe pse kompjuteri i ishte konfiskuar, Kurtaj arriti të depërtonte në sistemet e Rockstar duke përdorur një pajisje Amazon Fire Stick të lidhur me televizorin e dhomës së hotelit, si dhe një tastierë dhe maus me Bluetooth.
Ai vodhi të dhëna të brendshme të kompanisë, përfshirë 90 video me afro 60 minuta pamje nga loja e papërfunduar GTA 6. Më pas depërtoi edhe në sistemin e brendshëm të komunikimit Slack të kompanisë, ku kërcënoi se do të publikonte kodin burimor të lojës nëse Rockstar nuk e kontaktonte brenda 24 orëve përmes Telegramit.
Kompania refuzoi të bashkëpunonte me të, ndaj Kurtaj publikoi videot dhe kodin burimor në një forum online, duke përdorur pseudonimin “TeaPotUberHacker”.
Rockstar deklaroi se përballimi i pasojave të sulmit i kushtoi rreth pesë milionë dollarë, përveç mijëra orëve të punës së stafit. Kompania tha gjithashtu se rrjedhja e materialeve zbuloi për herë të parë se njëri prej personazheve të luajtshëm në lojë ishte femër, një detaj që ishte mbajtur sekret për arsye të marketingut.
Gjatë seancave gjyqësore u bë e ditur se Kurtaj kishte sulmuar edhe kompanitë BT/EE, Revolut dhe Uber, duke përdorur teknika të inxhinierisë sociale për të fituar qasje në sistemet e tyre të brendshme.
Në rastin e Uberit, ai kishte publikuar edhe një fotografi eksplicite si pjesë të përpjekjeve për ta detyruar kompaninë të paguante një shpërblim. Sulmet ndaj këtyre kompanive vlerësohet se kanë shkaktuar dëme prej rreth 10 milionë funtesh.
Me të dhënat e vjedhura nga kompanitë, Kurtaj dhe anëtarë të tjerë të grupit Lapsus$ kishin shënjestruar edhe investitorë të kriptovalutave. Prokuroria pretendoi se grupi kishte vjedhur të paktën 300 mijë dollarë nga viktima individuale.
Kurtaj pranoi gjithashtu fajësinë për sulme fizike ndaj punonjësve gjatë kohës që ishte në paraburgim, përfshirë disa raste të kafshimit. Në burg ishte kapur edhe me një telefon celular të paligjshëm, të cilin e kishte përdorur për t’i dërguar një mesazh tallës policisë dhe për të publikuar përditësime në Snapchat.
Gjatë procesit të parë gjyqësor në vitin 2023, mjekët e kishin vlerësuar Kurtajn të paaftë për t’u përballur me një gjykim të zakonshëm për shkak të autizmit. Për këtë arsye, gjykata zhvilloi një procedurë të posaçme, të njohur si “trial of the facts”, ku juria duhej të përcaktonte nëse ai i kishte kryer veprimet e pretenduara, jo nëse kishte vepruar me qëllim kriminal.
Në dhjetor të vitit 2023, gjykata vendosi që ai të qëndronte në një spital të sigurisë së lartë për një periudhë të pacaktuar, përveç rastit kur mjekët do të vlerësonin se nuk përbënte më rrezik.
Një vlerësim rutinë në fund të vitit të kaluar konstatoi se ai tashmë ishte i aftë të përballej me një gjykim penal. Pas kësaj, çështja u rikthye në Gjykatën e Woolwich Crown, ku Kurtaj pranoi fajësinë për veprat e përmendura.
Ai u paraqit në sallën e gjyqit me flokë të shkurtër, mjekër të parregulluar, kostum dhe këmishë të bardhë. Gjatë seancës, ai konfirmoi identitetin dhe pranoi akuzat pa shfaqur emocione të dukshme.
Kurtaj pritet të dënohet më 23 nëntor 2026, në të njëjtën gjykatë.
Ndërkohë, një tjetër anëtar i grupit Lapsus$, i cili ishte 17 vjeç në kohën e gjykimit të parë, u shpall fajtor në Gjykatën Southwark Crown në vitin 2023 dhe mori një urdhër rehabilitimi 18-mujor për të rinjtë, me mbikëqyrje të rreptë dhe ndalim të përdorimit të VPN-ve.
Më herët këtë vit, ai u identifikua si Thalha Jubair dhe u dënua me pesë vjet e gjashtë muaj burg për vazhdimin e aktiviteteve kriminale kibernetike me grupin Scattered Spider. Ndër viktimat e këtij grupi ishte edhe Transport for London, e cila pësoi një sulm që shkaktoi dëme të vlerësuara në rreth 39 milionë funtesh.

