Nuk është vetëm pilatesi: Miliarderja ka shtuar në stërvitje jelekun me peshë dhe shiritat që kufizojnë qarkullimin e gjakut, një kombinim që synon forcimin dhe formësimin e pjesës së poshtme të trupit
Hailey Bieber i mahniti të gjithë me paraqitjen e saj në fushatën më të fundit të SKIMS, ndërsa tani është zbuluar edhe mënyra se si stërvitet për ta mbajtur trupin në formë të përkryer.
Edhe pse njihet si një nga adhurueset më të mëdha të pilatesit, duket se këtë verë Hailey Bieber e ka ndryshuar mënyrën e stërvitjes.
Në një fotografi që e ndau me 58 milionë ndjekësit e saj në Instagram, Hailey pozon me një jelek me peshë, ndërsa në pjesën e sipërme të secilës kofshë mban nga një shirit të posaçëm për stërvitjen e muskujve të vitheve, shkruan “Vogue”.
Me shumë gjasa, bëhet fjalë për një pjesë të programit të saj të stërvitjes së forcës. Jelekët me peshë janë një shtesë e dobishme gjatë ushtrimeve, sepse ndihmojnë në ndërtimin e muskujve, rritjen e dendësisë së kockave, shpenzimin më të madh të kalorive dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë kardiovaskulare.
Me pak fjalë, ata mundësojnë që ushtrimet të bëhen më të vështira në një mënyrë të thjeshtë, duke i shtuar trupit ngarkesë shtesë, transmeton Telegrafi.
Duket se Hailey bashkëpunon me trajneren personale Kirsty Godso që nga shtatzënia e saj në vitin 2024, ndërsa shpesh publikon fotografi nga stërvitjet e tyre të përbashkëta.
Godso, e cila stërvit edhe Kaia Gerberin, publikon rregullisht në rrjetet sociale video nga stërvitjet e forcës dhe ushtrimet funksionale – nga ngritja e ijëve me shufër dhe ushtrimet njëanësore me kabllo, deri te ura për muskujt e vitheve dhe ushtrimet me hapa të mëdhenj.
Kur bëhet fjalë për shiritat që mban Hailey, duket se janë shirita individualë për kufizimin e qarkullimit të gjakut, të njohur edhe si shirita okluzivë.
Ata vendosen lart në kofshë dhe e kufizojnë në mënyrë të kontrolluar rrjedhjen e gjakut. Ky lloj stërvitjeje mund të ndihmojë në nxitjen më të shpejtë të hipertrofisë, pra të rritjes së muskujve, si dhe t’i bëjë ata të duken përkohësisht më të plotë.
Kombinimi i jelekut me peshë dhe këtyre shiritave tregon se Hailey aktualisht është e përqendruar seriozisht në forcimin e pjesës së poshtme të trupit.
Kjo është një zgjedhje e dobishme, sepse muskujt e fortë të këmbëve dhe të vitheve përmirësojnë ekuilibrin, forcën, qëndrimin e trupit dhe dendësinë e kockave.
Meqenëse grupet më të mëdha muskulore të trupit ndodhen pikërisht në këmbë dhe në vithe, stërvitja e rregullt e tyre i lehtëson aktivitetet e përditshme, si ecja dhe ngjitja e shkallëve.
Kur kësaj i shtohen edhe aktivitetet e saj të preferuara, si pilatesi dhe ecja në natyrë, bëhet e qartë se themeluesja e markës Rhode ka një rutinë stërvitjeje mjaft të ekuilibruar dhe të larmishme. /Telegrafi/
