Thashethemet për një kalim të Erling Haaland te Real Madridi vazhdojnë të qarkullojnë, ndërsa gazetari Ruben Martin beson se transferimi i norvegjezit në “Santiago Bernabeu” është vetëm çështje kohe.
Herët ose vonë, Erling Haaland do të transferohet te Real Madridi. Të paktën kështu mendon gazetari i Cadena COPE, i cili ka deklaruar se nga disa burime ka dëgjuar për dëshirën e sulmuesit norvegjez për të luajtur në “Santiago Bernabeu”.
Në kanalin e tij në YouTube, Martin ka folur edhe për mundësinë e një klauzole lirimi në kontratën e Haaland dhe ka lënë të kuptohet se një transferim i tij te Real Madridi mund të realizohet në një moment të së ardhmes.
“Presidenti i Dortmundit ka thënë se ëndrra e Haaland është të luajë te Madridi. Për klauzolën e Haaland kam dëgjuar nga Felix dhe nga persona të tjerë. Mendoj se kjo është diçka që po përflitet dhe se, në një moment, do të ndodhë. Kur? Nuk e di. Të gjithë e shohim se në Madrid ka shumë lojtarë dhe hapësira është e kufizuar, por…”, ka deklaruar gazetari spanjoll.
Situata aktuale
Për momentin, Haaland është i lidhur me Manchester Cityn me kontratë deri në qershor të vitit 2034.
Sipas raportimeve të ndryshme, në marrëveshjen e tij ekziston një klauzolë lirimi, e cila mund t’ia lehtësojë largimin nga klubi anglez për një shumë që, me kalimin e viteve, tashmë ka zbritur nën 200 milionë euro.
Pavarësisht thashethemeve për të ardhmen, Haaland vazhdon të mbetet një nga sulmuesit më të kompletuar dhe më të besueshëm në futbollin botëror.
Norvegjezi nuk ka shfaqur probleme për t’u përshtatur me ndryshimet në stafin teknik të Manchester Cityt. Edhe pas kalimit nga Pep Guardiola te Enzo Maresca, ai ka vazhduar të jetë vendimtar dhe deri tani ka shënuar gjashtë gola në po aq paraqitje zyrtare këtë sezon.
Nëse këto raportime rezultojnë të sakta, mbetet vetëm pyetja se kur do të vijë momenti që Haaland të veshë fanellën e Real Madridit. /Telegrafi/