Hysni Gucati ka deklaruar se mbrëmjen e së enjtes në Skenderaj ka pasur një prani të shtuar të forcave policore, të cilën ai e ka cilësuar si “qytetrrethim”.
Për këtë situatë, ai ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe ministrin e Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla.
Në një konferencë për media të mbajtur në Skenderaj, Gucati tha se Njësia Speciale e Policisë ishte vendosur në 17 pika të komunës, duke shtuar se një situatë e tillë nuk ishte parë që nga viti 1999.
“Ne nuk kemi ardhur sot për vizitë, por sepse mbrëmë në Drenicë, veçanërisht në komunën e Skenderajt, ka pasur një situatë të rënduar sigurie. Në 17 pika kanë qenë të vendosura njësitë speciale me armë të gjata, gjë që e konsiderojmë të panevojshme”, deklaroi ai.
Gucati foli edhe për rastin e Sami Lushtaku, i cili nuk iu përgjigj ftesës për intervistim lidhur me pretendimet për sulm ndaj kryetarit të qendrës së Lëvizja Vetëvendosje në Skenderaj, Hysni Mehani.
Ai tha se Lushtaku nuk i shmanget drejtësisë dhe kujtoi se ai kishte vuajtur 12 vjet burg gjatë administrimit të UNMIK-ut.
Sipas Gucatit, arsyeja e mosparaqitjes së tij lidhet me siç tha ai, shembullin e dhënë nga Kurti në raport me institucionet e drejtësisë.
Në deklaratën e tij, Gucati paralajmëroi gjithashtu mundësinë e organizimit të protestave nëse, sipas tij, ndaj Lushtakut përdoret forcë nga institucionet.
“Ne nuk dëshirojmë tensione apo kthim pas. Por nëse përdoret dhunë ndaj Sami Lushtakut apo ndaj gjeneralëve të tjerë, atëherë reagimi do të vijë përmes protestave dhe demonstratave në gjithë Kosovën”, u shpreh ai. /Telegrafi/