Pep Guardiola ka dhënë një vlerësim të veçantë për Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon, duke shpjeguar se ajo që i dallon dy legjendat e futbollit nga pjesa tjetër nuk është vetëm talenti apo cilësia teknike, por mbi të gjitha mentaliteti fitues.
Trajneri spanjoll theksoi se shumica e futbollistëve, pasi arrijnë suksese të mëdha, fitojnë trofe dhe sigurojnë të ardhmen financiare, do të ndiheshin të kënaqur me atë që kanë arritur. Megjithatë, Messi dhe Ronaldo kanë pasur gjithmonë një uri të jashtëzakonshme për më shumë, transmeton GazetaBlic Sport.
“Pas kaq shumë vitesh, pasi kanë fituar shumë dhe kanë arritur siguri financiare, shumica e njerëzve do të ishin të kënaqur. Por këta të dy donin gjithmonë më shumë, më shumë dhe akoma më shumë”, u shpreh Guardiola.
Sipas tij, madhështia e një sportisti nuk matet vetëm me suksesin e një sezoni, por me aftësinë për të qëndruar në nivelin më të lartë për një periudhë të gjatë kohore.
“Nuk bëhet fjalë për të fituar për një vit apo për të shënuar 30 apo 50 gola në një sezon. Bëhet fjalë për ta bërë këtë për 15 apo 20 vite. Të qëndrosh në majë për kaq shumë vite, pa e ulur nivelin. Kjo është ajo që përfaqëson sporti”, theksoi trajneri.
/GazetaBlic Sport/

