KORREKT / SOT16 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Ekonomi

Grupi Balfin ne listen e 100 kompanitë më të mëdha në Evropën Juglindore

Grupi Balfin ne listen e 100 kompanitë më të mëdha në Evropën Juglindore

Në një intervistë për SEE TOP 100, publikimin vjetor të SeeNews, një media e specializuar në lajmet dhe analizat ekonomike të Evropës Juglindore, Presidenti i BALFIN Group, Samir Mane, ndan vizionin dhe qasjen strategjike që kanë udhëhequr zgjerimin e Grupit.

– BALFIN po përgatitet të hyjë në 11 tregje të reja, duke shënuar një fazë të re në zgjerimin e Grupit.

– Marrëveshja me Jumbo zgjeron aktivitetin e BALFIN përtej Evropës.

– Aktivitetet ndërkombëtare gjenerojnë tashmë rreth gjysmën e të ardhurave të BALFIN Group.

– BALFIN Americas ka ndërtuar një portofol investimesh në pasuri të paluajtshme në SHBA me

vlerë mbi 228 milionë dollarë amerikanë.

1. BALFIN Group ka vijuar të rritet gjatë vitit 2025. Çfarë qëndron pas këtyre shifrave?

Rezultatet e vitit 2025 pasqyrojnë përmasat që kemi arritur dhe, çka është më e rëndësishme, investimet që po realizojmë për fazën e ardhshme të rritjes.

Totali i aktiveve u rrit me 18%, duke arritur në 3.1 miliardë euro, ndërsa EBITDA arriti në 161 milionë euro. Gjithashtu, gjatë vitit investuam rreth 181 milionë euro.

Ajo që e konsideroj veçanërisht të rëndësishme është ndryshimi i profilit ndërkombëtar të Grupit. Rreth gjysma e të ardhurave tona gjenerohen tashmë jashtë Shqipërisë.

BALFIN operon në 13 shtete, në dy kontinente dhe në nëntë industri, ndërsa aktivitetet tona ndërkombëtare po zënë një peshë gjithnjë e më të rëndësishme në biznes.

Këto shifra janë rezultat i shumë viteve të ndërtimit dhe zhvillimit të bizneseve, hyrjes në tregje të reja dhe krijimit të partneriteteve të forta. Në këtë fazë, fokusi ynë nuk është rritja në vetvete. Ne vlerësojmë se ku mund të ndërtojmë biznese konkurruese, ku mund ta investojmë kapitalin në mënyrë efektive dhe ku shohim potencial për të krijuar vlerë afatgjatë.

2. BALFIN ka njoftuar një program ambicioz zgjerimi. Cilat janë zhvillimet më të

rëndësishme që nga viti i kaluar?

Ndryshimi më i rëndësishëm lidhet me përmasat e zgjerimit. Po përgatitemi të hyjmë në

11 tregje të reja, duke e çuar BALFIN drejt një dimensioni të ri gjeografik.

Në sektorin e shitjes me pakicë, kemi forcuar partneritetet me marka ndërkombëtare.

Kemi zgjeruar bashkëpunimin me Flying Tiger Copenhagen në tre tregje të Bashkimit Evropian, ndërsa marrëveshja jonë me Jumbo na jep mundësinë ta zhvillojmë këtë markë në Ukrainë, Gjeorgji, Armeni, Azerbajxhan, Kazakistan dhe Uzbekistan.

Ky është një zhvillim veçanërisht i rëndësishëm, sepse e shtrin aktivitetin tonë në sektorin e shitjes me pakicë përtej Evropës, deri në Azinë Qendrore.

Në të njëjtën kohë, Neptun vijon zgjerimin në Ballkanin Perëndimor, ndërsa KIABI po zhvillohet si një platformë rajonale e shitjes me pakicë.

Përtej këtij sektori, po zgjerojmë aktivitetet tona ndërkombëtare në pasuri të paluajtshme, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Austrinë dhe Gjermaninë.

Edhe sektori i hotelerisë dhe turizmit po hyn në një fazë të re zhvillimi, ndërsa Happy

Pay po evoluon drejt një platforme me potencial rajonal.

Pra, faza e ardhshme është shumë më e gjerë sesa thjesht hapja e dyqaneve të reja apo blerja e më shumë aseteve. Ne po ndërtojmë njëkohësisht disa biznese ndërkombëtare, secili me potencialin për t'u zhvilluar përtej tregut ku ka nisur aktivitetin.

3. BALFIN Americas u krijua si pjesë e strategjisë ndërkombëtare të Grupit. Si e vlerësoni sot platformën amerikane?

Unë i shoh Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një platformë investimi afatgjatë për BALFIN, dhe jo thjesht si një seri transaksionesh të veçanta.

Që nga krijimi i BALFIN Americas, kemi ndërtuar një portofol me një vlerë investimi prej mbi 228 milionë dollarësh amerikanë, që përfshin pesë projekte zhvillimi në New York, New Jersey dhe Seattle.

Ky portofol na mundëson të jemi të pranishëm në segmente të ndryshme të tregut amerikan të pasurive të paluajtshme. Në New York, kemi pesë projekte të banesave me çmime të përballueshme në Bronx, ku 110 njësi banimi janë dorëzuar tashmë dhe 700 apartamente të tjera pritet të përfundojnë gjatë viteve të ardhshme. Në New Jersey, prona në 340 Mount Kemble Avenue është një ndërtesë zyrash e kategorisë A, me rreth 95% të sipërfaqes të dhënë me qira, ku ndër qiramarrësit përfshihen Morgan Stanley, First Citizens Bank dhe Ericsson. Në Seattle, po zhvillojmë rreth 50 njësi banimi të destinuara për shitje.

Ajo që është e rëndësishme për mua është se kemi hyrë në këtë treg në mënyrë selektive dhe në bashkëpunim me partnerë vendas me përvojë. Po njohim më mirë tregun, po ndërtojmë ekipin dhe po zhvillojmë një portofol të qëndrueshëm, në vend që të synojmë një rritje tepër të shpejtë.

Tregu amerikan është shumë konkurrues, por pikërisht kjo e bën edhe tërheqës. Nëse ke partnerët e duhur, kupton faktorët themelorë të tregut dhe ruan disiplinën në investime, ekziston një potencial i konsiderueshëm për të krijuar vlerë me kalimin e kohës.

4. BALFIN po përgatitet të hyjë në 11 tregje të reja. Çfarë kërkon nga organizata një zgjerim i këtyre përmasave?

Një zgjerim i këtyre përmasave kërkon një nivel tjetër organizimi.

Sfida më e rëndësishme nuk është identifikimi i mundësive. Është aftësia për t’i realizuar ato me qëndrueshmëri në tregje shumë të ndryshme, duke ruajtur njëkohësisht shpejtësinë e vendimmarrjes.

Sot kemi më shumë se 5,000 punonjës në 13 shtete dhe, ndërsa hyjmë në tregje të tjera, na nevojitet një drejtim i fortë në nivel lokal, i kombinuar me një strukturë të qartë organizative në nivel Grupi.

Roli im si sipërmarrës ndryshon me rritjen e organizatës. Në fazat e para të një kompanie, pronari mund të përfshihet pothuajse në çdo vendim. Në përmasat që kemi sot, kjo nuk është as e mundur dhe as e dëshirueshme. Përgjegjësia ime është të sigurohem që kemi njerëzit e duhur, drejtuesit e duhur dhe strukturën e duhur, në mënyrë që vendimet të merren sa më pranë aktivitetit të biznesit.

Edhe teknologjia po merr një rëndësi gjithnjë e më të madhe. Po investojmë në sisteme dhe në inteligjencë artificiale, të cilat na mundësojnë të menaxhojmë një organizatë shumë më të madhe, pa shtuar kompleksitet të panevojshëm.

Objektivi është i qartë: ta bëjmë BALFIN të aftë të rritet ndjeshëm, pa humbur shpejtësinë dhe frymën sipërmarrëse që kanë qenë në themel të zhvillimit të tij.

5. Me këtë zgjerim përpara, ku i shihni mundësitë më të mëdha për BALFIN?

Mundësitë më të mëdha i shoh aty ku bashkohen tre elemente: një treg me baza të forta ekonomike, një model biznesi që e njohim mirë dhe aftësia për të ndërtuar diçka që mund të zhvillohet përtej një tregu të vetëm.

Sektori i shitjes me pakicë mbetet një pjesë e rëndësishme e strategjisë sonë. Kemi partnerë të fuqishëm ndërkombëtarë dhe mundësi të konsiderueshme për të zhvilluar markat e tyre në tregje të reja. Marrëveshja me Jumbo është një shembull i mirë: ajo na krijon një platformë në gjashtë tregje të reja dhe e zgjeron aktivitetin tonë të shitjes me pakicë përtej Evropës.

Pasuritë e paluajtshme dhe administrimi i aseteve përbëjnë një tjetër fushë kryesore të fokusit tonë. Në Gjermani, po shqyrtojmë asete që gjenerojnë të ardhura, ku mund të zbatojmë përvojën tonë në blerjen, ripozicionimin dhe menaxhimin aktiv të tyre. Nuk jemi të interesuar vetëm të zotërojmë asete, por edhe të përmirësojmë performancën e tyre.

Shtetet e Bashkuara mbeten një prioritet afatgjatë, ndërsa Evropa vijon të ofrojë mundësi si në pasuri të paluajtshme, ashtu edhe në hoteleri dhe turizëm.

Shohim gjithashtu potencial të konsiderueshëm në shërbimet financiare. Happy Pay po zhvillohet si një platformë rajonale fintech, që integron pagesat, kuletat digjitale, paranë elektronike, shërbimin Bli Tani, Paguaj Më Vonë (Buy Now, Pay Later) dhe shërbimet për biznesin.

Ajo që i lidh të gjitha këto investime është aftësia jonë për të kombinuar kapitalin, përvojën operacionale dhe partneritetet e forta ndërkombëtare.

Ne nuk synojmë të jemi të pranishëm kudo. Duam të jemi të pranishëm në ato tregje ku besojmë se mund të ndërtojmë biznese me vlerë reale dhe konkurruese.

6. Si sipërmarrës dhe investitor, si vendosni se ku duhet të investojë BALFIN më tej?

Për mua, pikënisja është gjithmonë e njëjta: ku qëndron mundësia për të krijuar vlerë, të cilën të tjerët mund të mos e shohin ose mund të mos kenë aftësinë ta realizojnë?

Vlerësoj faktorët themelorë të tregut, cilësinë e asetit apo biznesit, njerëzit e përfshirë dhe aftësinë tonë për të sjellë një vlerë të shtuar.

Ndonjëherë kjo nënkupton hyrjen në një treg të ri. Herë të tjera do të thotë zgjerim i një biznesi ekzistues. Dhe ndonjëherë do të thotë shitja e një investimi, sepse besojmë se kapitali mund të gjenerojë një kthim më të lartë diku tjetër.

Unë besoj fort edhe te partneritetet. Nuk është e nevojshme të dimë gjithçka vetë. Në shumë prej investimeve tona ndërkombëtare, bashkëpunojmë me partnerë që e njohin tregun lokal më mirë se ne. Roli ynë është të sjellim kapitalin, përvojën sipërmarrëse, aftësitë menaxheriale dhe një perspektivë afatgjatë.

Ndërsa BALFIN po bëhet gjithnjë e më ndërkombëtar, kjo qasje merr edhe më shumë rëndësi.

Ambicia jonë nuk është thjesht ta bëjmë BALFIN më të madh. Synimi është të ndërtojmë një grup investimesh që ka aftësinë të identifikojë mundësi në tregjet ndërkombëtare, t'i realizojë ato me profesionalizëm dhe të krijojë vlerë të qëndrueshme për dekada me radhë.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.