Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka thënë se pas 16 shtatorit kishte pritur një qasje tjetër të partive politike ndaj çështjes së Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në Debat Plus, Gruda ka deklaruar se kishte pritur që partitë politike ta vendosnin këtë çështje mbi interesat partiake dhe të kontribuonin në miratimin e ligjit.
“Unë jam i befasuar me këtë mungesë të vetëdijes kombëtare. Ku u vu mandej ligji në peshore, me një pozicion politik”, ka deklaruar Gruda.
Ai ka thënë se kishte menduar që pas 16 shtatorit, diskutimet për pozitat politike, zgjedhjet dhe zgjedhjen e presidentit nuk do të mbizotëronin ndaj çështjes së ligjit.
Gruda ka theksuar se, sipas tij, ligji u miratua falë qëndrimit të PDK-së dhe vendosmërisë së qytetarëve.
“Megjithatë e tejkaluam atë. Dhe ne e tejkaluam, sepse duhet ta kalonim ligjin. Ligjin e ka kaluar qëndrimi i PDK-së dhe vendosmëria e qytetarëve”, ka thënë ai.

