Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka deklaruar se ftesa e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, drejtuar liderëve të partive parlamentare, tregon se në takimin e paralajmëruar duhet të diskutohet për formimin e të gjitha institucioneve të vendit.
Para mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, Gruda tha se partia e tij do të shqyrtojë ftesën dhe do të dalë me një qëndrim zyrtar, duke ritheksuar se pa dialog politik dhe kompromis nuk mund të ketë zgjidhje për ngërçin institucional.
“Ne kemi thënë prej fillimit që pa dialog politik, pa kompromis, s’mund të ketë formim të institucioneve. Për atë po mblidhemi që ta kemi një qëndrim. Presim që dialogu të jetë i vërtetë”, deklaroi ai.
Sipas Grudës, fakti që ftesa është bërë para konstituimit të Kuvendit nënkupton se në tavolinë duhet të jetë formimi i të gjitha institucioneve, e jo vetëm zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.
“Meqë ftesa është bërë para krijimit të institucioneve, radha është bërë për formimin e krejt institucioneve. Asnjë parti s’ka fituar në zgjedhjet e fundit numrin e nevojshëm me i bë krejt institucionet”, u shpreh ai.
Deputeti i zgjedhur i PDK-së shtoi se Lëvizja Vetëvendosje kishte synuar të siguronte mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e fundit, por rezultati zgjedhor, sipas tij, ka dëshmuar se asnjë subjekt politik nuk ka shumicën e nevojshme për të qeverisur i vetëm.
“Ju e dini që VV ka kërkuar më shumë se 50 për qind, votuesit i dhanë më pak se aq. Rezultati është i qartë, shumë gjëra janë sqaruar. Pas mbledhjes së Kryesisë do të flasim”, përfundoi Gruda.
