Një grabitje e armatosur ka ndodhur të enjten pasdite në Gjakovë, ku dy persona të dyshuar kanë grabitur një sasi të madhe ari, transmeton IndeksOnline.
Sipas policisë, dy viktimat, një mashkull dhe një femër, kanë raportuar se derisa ndodheshin në vendin e tyre të punës, në objekt kanë hyrë dy persona të armatosur, njëri me armë të gjatë dhe tjetri me çekan.
Të dyshuarit kanë thyer dollapët dhe kanë marrë një sasi të madhe ari, për t’u larguar më pas në këmbë në drejtim të panjohur.
“Dy viktimat, një mashkull dhe një femër kosovare, kanë raportuar se derisa kanë qenë në vendin e punës, kanë hyrë dy persona të dyshuar dhe të armatosur, njëri me armë të gjatë e tjetri me një çekan dhe pasi kanë thyer dollapët kanë marrë një sasi të madhe ari”, thuhet në raportin policor.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar nga ekipet përkatëse policore.
Deri më tani nuk është raportuar për arrestimin e personave të dyshuar./IndeksOnline/

