Një grabitje ka ndodhur në rezidencën e Princit William dhe Princeshës Kate në Norfolk të Anglisë, raportoi gazeta britanike The Telegraph. Ngjarja ndodhi të hënën në mbrëmje në Anmer Hall, në pronën mbretërore Sandringham, ndërsa policia ka nisur hetimet.
Sipas mediave britanike, William, Kate dhe tre fëmijët e tyre, Princi George, Princesha Charlotte dhe Princi Louis, në momentin e grabitjes ndodheshin në rezidencën e tyre kryesore, Forest Lodge, në Windsor. Familja nuk ishte në rrezik, transmeton Indeksonline.
Pas incidentit, një helikopter policie u pa duke qarkulluar për disa orë mbi pronën mbretërore. Banorët e zonës raportuan prani të shtuar të policisë, ndërsa disa prej tyre thanë se ishin ndaluar nga efektivët.
Ende nuk dihet nëse është vjedhur diçka
Deri më tani nuk dihet se kush qëndron pas grabitjes dhe nëse nga rezidenca është marrë ndonjë send me vlerë. Këtë e raportojnë edhe mediat gjermane, duke iu referuar burimeve britanike.
Anmer Hall ka dhjetë dhoma gjumi dhe iu dhurua Williamit dhe Kate nga Mbretëresha e ndjerë Elizabeth II në vitin 2011, me rastin e martesës së tyre.
Çifti jetoi në këtë rezidencë nga viti 2015 deri në vitin 2017. Sipas mediave, ajo vazhdon të jetë një nga vendet e preferuara të familjes mbretërore për të kaluar kohën larg vëmendjes publike./Indeksonline/

