Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, i ka kërkuar ambasadorit të Hungarisë në Kosovë, László István Dux, mbështetjen e shtetit të tij për avancimin e agjendës së integrimeve euroatlantike të Kosovës, përfshirë marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
Kërkesa u bë gjatë takimit që Gola zhvilloi me ambasadorin hungarez dhe sekretarin e dytë të ambasadës, Olivér Kovács, ku u diskutua për zhvillimet politike në të dyja vendet, dinamikat rajonale e ndërkombëtare dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh.
Sipas njoftimit të Kuvendit, Gola shprehu mirënjohje për përkrahjen që Hungaria i ka dhënë Kosovës ndër vite në proceset e paqendërtimit dhe shtetndërtimit.
“Nga njohja e pavarësisë së Kosovës te angazhimi në kuadër të KFOR-it, Hungaria ka dhënë një kontribut të çmuar për paqen, sigurinë dhe forcimin e institucioneve të vendit tonë”, theksoi Gola.
Ai vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin në fushën e arsimit të lartë përmes programit të bursave “Stipendium Hungaricum”, i cili u mundëson të rinjve nga Kosova të studiojnë në universitetet hungareze.
Gola theksoi se demokracia, sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut dhe vlerat euroatlantike janë themelet mbi të cilat Kosova ndërton shtetin dhe të ardhmen e saj.
“Për Kosovën, demokracia, sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut dhe vlerat euroatlantike nuk kanë alternativë”, tha ai.

