Frenkie De Jong ka pësuar një dëmtim serioz në gju menjëherë pas rikthimit te Barcelona nga Kupa e Botës, duke i dhënë klubit katalanas një goditje të rëndë para fillimit të sezonit të ri.
Mesfushori iu nënshtrua ekzaminimeve të para mjekësore të hënën, të cilat zbuluan një problem shqetësues. Tani ai rrezikon të mbetet jashtë fushave për një periudhë të gjatë, çka përbën një goditje të madhe për planet e Barcelonës.
Sipas një raporti të MARCA, De Jong u paraqit të hënën në qendrën stërvitore të klubit për kontrollet rutinë mjekësore pas përfundimit të Kupës së Botës.
Mesfushori holandez luajti në të gjitha ndeshjet e Holandës në turne, deri në eliminimin nga Maroku në fazën e 1/16 së finales. Në atë përballje, e cila përfundoi 1-1 dhe u vendos me penallti, De Jong qëndroi në fushë për 110 minuta.
Ndërsa disa futbollistë përfituan ditë shtesë pushimi, ai u paraqit në klub së bashku me Ronald Araujon. Megjithatë, kontrollet e para mjekësore zbuluan një dëmtim serioz në gju, duke ngritur alarmin në radhët e Barcelonës.
Klubi ende nuk ka publikuar një njoftim zyrtar, por situata konsiderohet mjaft shqetësuese, teksa priten rezultatet përfundimtare të analizave.
Vlerësimet fillestare tregojnë se De Jong mund të mungojë për disa muaj. Sipas raportimeve, ai mund të mbetet jashtë fushave deri në katër muaj, çka do ta shtynte rikthimin e tij në nëntor.
Ky do të ishte një goditje e rëndë për Barcelonën, duke marrë parasysh rolin dhe përvojën e mesfushorit që prej transferimit të tij në “Camp Nou” në korrik të vitit 2019./Telegrafi/
