Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, njoftoi se nesër në mbrëmje, kur do të mbahet manifestimi “Nata e Bardhë”, orari i punës i objekteve hotelierike në zonën e Qytetit të Shkupit do të zgjatet për dy orë, në mënyrë që shoqërimi dhe atmosfera e bukur të zgjasë më shumë, transporti me autobusët e NQP-së do të jetë falas nga ora 18:00 më 3 tetor deri në orën 5:00 të mëngjesit më 4 tetor, ndërsa hyrja në Kopshtin Zoologjik të Shkupit do të jetë gjithashtu falas.
“Nata e Bardhë përsëri në Shkup! Ka netë në të cilat qyteti përjetohet ndryshe. Netë në të cilat rrugët bëhen skenë, arti vjen të na takojë dhe muzika na bashkon. Më 3 tetor, Shkupi do të përjetojë përsëri një natë të tillë, Natën tonë të Bardhë! Këtë të shtunë, nga ora 19:00 deri në 3:00 të mëngjesit, sheshet, urat, galeritë, muzetë dhe çarshia do të jenë vende për përvoja të reja dhe takime të paharrueshme. Ju ftoj ta mbushni Shkupin me kuriozitet, buzëqeshje dhe energji dhe të ndjeni fuqinë e tij krijuese” shkroi Gjorgjievski në profilin e tij në Facebook.
Pjesë e kësaj nate do të jenë edhe Muzeu i Qytetit të Shkupit, “Audio Kulturë”, Shtëpia e ndërtuesve, “Mala Stanica”, QKF “Karposh”, Biblioteka e Qytetit, Çifte Hamami, Rruga “Maqedonia” dhe Muzeu i Artit Bashkëkohor.
“Dilni me familjen tuaj, ftoni miqtë tuaj dhe zgjidhni ndalesën tuaj të parë. Lëreni Shkupin t’ju surprizojë me diçka që nuk e keni parë, dëgjuar ose ndjerë kurrë më parë. Nata e Bardhë është një ftesë për të gjitha brezat, për të gjithë ata që e duan këtë qytet dhe për të gjithë ata që ende nuk e kanë përjetuar atë. Më 3 tetor, le t’i mbushim rrugët me jetë dhe të krijojmë një kujtim tjetër të bukur për Shkupin tonë”, njoftoi Gjorgjievski.