Dy persona janë gjobitur me nga 500 euro pasi kanë ndezur zjarre në hamullore në fshatrat Ujmir dhe Shtaricë të Klinës.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më 18 tetor 2026, rreth orës 08:10, Stacioni Policor në Klinë është njoftuar për një zjarr në fshatin Ujmir, ku po digjeshin hamulloret.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe zjarrfikësit, ndërsa policia ka identifikuar personin përgjegjës për ndezjen e zjarrit.
Rreth orës 08:45, e njëjta patrullë policore, gjatë kthimit për në qytet, ka vërejtur një zjarr tjetër në fshatin Shtaricë, ku po ashtu po digjeshin hamulloret. Edhe në këtë rast është identifikuar personi përgjegjës.
Të dy personat janë udhëzuar të paraqiten në Stacionin Policor në Klinë, ndërsa ndaj tyre janë shqiptuar gjoba në vlerë prej 500 eurosh për secilin.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka apeluar te qytetarët që të përmbahen nga djegia e hamulloreve dhe ndezja e zjarreve në hapësira të hapura, duke paralajmëruar se veprime të tilla paraqesin rrezik për përhapjen e pakontrolluar të zjarrit dhe dëmtimin e pronës.
Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë të ndërmarrë veprimet e nevojshme për identifikimin dhe trajtimin e rasteve të tilla, me qëllim të parandalimit të zjarreve dhe rritjes së sigurisë së qytetarëve.

