Komuna e Gjilanit dhe organizata Help – Hilfe zur Selbsthilfe kanë rritur nga 35 në 65 numrin e bizneseve përfituese të granteve, me një investim të përgjithshëm prej 162,500 eurosh.
Kjo është bërë e mundur pas nënshkrimit të Aneksit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Gjilanit dhe organizatës Help, në kuadër të projektit “Punë dhe Aftësi për Parandalimin e Migrimit në Kosovë”, të financuar nga Zyra Federale Gjermane për Migracion dhe Refugjatë (BAMF).
Përmes këtij aneksi, programit i janë shtuar edhe 30 grante të reja, ndërsa mbështetja mesatare për secilin përfitues është 2,500 euro. Financimi bëhet përmes bashkëfinancimit nga Help dhe Komuna e Gjilanit.
Programi synon të mbështesë zhvillimin e bizneseve, vetëpunësimin dhe krijimin e mundësive të reja ekonomike.
Në kuadër të këtij programi, Drejtoria për Zhvillim Ekonomik në Gjilan do të organizojë një sesion informues më 15 tetor 2026, nga ora 10:00 deri në 11:00, në Bibliotekën e Qytetit “Fan S. Noli”.
Në këtë sesion, përfaqësuesit e bizneseve dhe qytetarët e interesuar do të mund të informohen për kriteret, kushtet dhe mënyrën e aplikimit për përfitimin nga programi. /Telegrafi/

