Gjilani do të mirëpresë një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore të këtij viti, teksa më 27 qershor do të mbahet finalja e madhe e edicionit të nëntë të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Rising Stars”.
Ngjarja do të zhvillohet në ambientet e Sun Garden në Vali Ranch Resort, duke filluar nga ora 19:00, dhe pritet të mbledhë artistë të rinj nga vende të ndryshme të botës.
“Rising Stars” është shndërruar ndër vite në një platformë të rëndësishme për promovimin e talenteve të reja muzikore, duke bashkuar kultura dhe tradita të ndryshme përmes gjuhës universale të muzikës.
Në këtë edicion do të marrin pjesë artistë nga Italia, Mbretëria e Bashkuar, Turqia, Malta, Lituania, Belgjika, Kazakistani, Polonia, Bullgaria, Rumania, Shqipëria dhe Kosova.
Organizatorët theksojnë se festivali synon jo vetëm të promovojë talentin dhe kreativitetin artistik, por edhe të forcojë miqësinë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar mes të rinjve.
Finalja e madhe e “Rising Stars 2026” pritet të sjellë performanca të veçanta dhe një atmosferë festive, duke e kthyer Gjilanin në një pikëtakim të artistëve të rinj nga mbarë Evropa dhe më gjerë.
Festivali organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, si dhe Komunës së Gjilanit, përkatësisht Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport. /Telegrafi/
