Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Lumbardh Dellova, mund të jetë pranë një hapi të rëndësishëm në karrierën e tij, pasi emri i tij po lidhet me një transferim të mundshëm në kampionatin ukrainas.
Sipas raportimeve të mediumit bullgar “Gol.bg”, interesim konkret për 27-vjeçarin ka shfaqur Dinamo Kiev, një nga klubet më të mëdha dhe më të suksesshme në Ukrainë. Bëhet e ditur se drejtuesit e klubit ukrainas janë të gatshëm të investojnë rreth 950 mijë euro për të siguruar shërbimet e qendërmbrojtësit kosovar.
Dinamo po synon të forcojë repartin defensiv para nisjes së sezonit të ri dhe Dellova konsiderohet si një profil që mund të sjellë stabilitet dhe cilësi në prapavijë.
Paraqitjet e tij të mira gjatë periudhës së fundit me CSKA Sofian duket se kanë tërhequr vëmendjen e skautëve të klubit ukrainas.
Aktualisht, Dellova është pjesë e gjigantit bullgar, ku u transferua në vitin 2024 nga Ballkani. Në atë kohë, marrëveshja mes dy klubeve ishte realizuar për një shumë prej rreth 350 mijë eurosh.
Mbrojtësi kosovar ka kontratë me CSKA Sofian deri në verën e vitit 2027, gjë që i jep klubit bullgar një pozicion të favorshëm në negociata në rast se Dinamo Kiev vendos të konkretizojë interesimin me një ofertë zyrtare.
Kujtojmë se Dellova së fundmi u largua nga grumbullimi i Kosovës për shkak të një lëndimi, por kjo nuk duket se ka zbehur interesimin e klubeve që po monitorojnë situatën e tij./Telegrafi/
