Galatasaray po përgatitet të bëjë një ofertë zyrtare për kapitenin e Liverpoolit, Virgil Van Dijk, me presidentin Dursun Ozbek që pritet të udhëheqë personalisht këtë transferim, sapo mbrojtësi të japë miratimin e tij, sipas mediumit lokal Fotomaç.
Klubi turk e sheh 34-vjeçarin si një transferim “ëndrrash” për ta komanduar mbrojtjen sezonin e ardhshëm dhe është i gatshëm t’ia barazojë pagën aktuale në “Anfield”: 11 milionë euro në vit (neto).
Van Dijk ka edhe një vit të mbetur në kontratën e tij me Liverpoolin dhe thuhet se po i shqyrton opsionet, sidomos nëse sezonin e ardhshëm do të përballet me konkurrencë për vendin titullar nën drejtimin e Arne Slotit.
Galatasaray beson se ai mund të jetë i hapur për një transferim në Super Lig, duke pasur parasysh se është ndeshur me klubin turk në Ligën e Kamponëve këtë sezon.
Megjithatë, për raportimin kërkohet edhe një dozë e madhe skepticizmi. Liverpooli pritet tashmë të humbasë Mohamed Salah dhe Andy Robertson këtë verë, ndërsa e ardhmja e Alissonit është po ashtu e pasigurt, gjë që do ta bënte një largim të njëkohshëm edhe të Van Dijkut rrezik të madh për skuadrën e Arne Slotit.
Po ashtu, ideja që Van Dijk të humbë vendin e tij në moshën 34-vjeçare duket pak e besueshme pa një riorganizim të madh të skuadrës.
Këtë sezon, Van Dijk ka zhvilluar 52 ndeshje në të gjitha garat për Liverpoolin, duke mbetur njëri prej qendërmbrojtësve më dominues në Ligën Premier./Telegrafi/