Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e tretë dhe të fundit për procesin e votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, ku u prezantuan të dhënat për pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës që votuan jashtë vendit.
Sipas të dhënave të publikuara, deri në orën 19:00 pjesëmarrja e përgjithshme në votim në përfaqësitë diplomatike arriti në 22 mijë e 414 votues, ose 80.85 për qind nga gjithsej 27 mijë e 724 qytetarë të regjistruar për të votuar në ambasada dhe konsullata.
Interesimi më i madh për votim u regjistrua në qendrat diplomatike në Gjermani, ku në Dyseldorf votuan 2 mijë e 977 qytetarë (81.21%), në Mynih 2 mijë e 222 (79.05%), në Shtutgart 2 mijë e 200 (77.90%), ndërsa në Frankfurt 1 mijë e 590 votues (84.08%).
Pjesëmarrje të lartë pati edhe në Zvicër, ku në Gjenevë votuan 1 mijë e 291 qytetarë (86.30%), në Bernë 1 mijë e 270 (85.18%) dhe në Cyrih 1 mijë e 758 votues (84.07%).
Në Mbretërinë e Bashkuar, në Ambasadën e Kosovës në Londër votuan 1 mijë e 211 qytetarë, që përbën 86.81 për qind të votuesve të regjistruar. Pjesëmarrje mbi 86 për qind u regjistrua edhe në Bruksel (86.12%), Oslo (86.54%) dhe Stokholm (86.43%).
Ndërkohë, përfaqësitë diplomatike me përqindjen më të lartë të pjesëmarrjes ishin Haga me 93.10 për qind, Praga me 93.55 për qind dhe Kopenhaga me 90.77 për qind.
Në konferencën e tretë dhe përmbyllëse, KQZ-ja bëri të ditur se procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike është zhvilluar pa probleme dhe se të dhënat e prezantuara pasqyrojnë interesimin e lartë të mërgatës për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat mbahen më 7 qershor 2026.
