Pesë projekte të arsimit dhe aftësimit profesional në Kosovë janë përzgjedhur për financim nga Fondi Rajonal i Sfidave (RCF), me rreth 2.1 milionë euro të zotuara për përmirësimin e kushteve të trajnimit dhe zhvillimin e aftësive profesionale në përputhje me nevojat e tregut të punës.
Investimi synon përmirësimin e ambienteve të trajnimit, pajisjen me mjete moderne dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit profesional dhe bizneseve lokale.
Kjo u bë e ditur përmes një postimi në Facebook që e ka hedhur faqja e Ambasadës Gjermane në Prishtinë, transmeton Telegrafi.
Ambasadori Rainer Rudolph theksoi rëndësinë e arsimit dhe aftësimit profesional për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës, duke nënvizuar se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet institucioneve të trajnimit dhe kompanive është thelbësor për të ngushtuar hendekun ndërmjet aftësive që ofron sistemi arsimor dhe kërkesave reale të tregut të punës.
Përmes mbështetjes së Fondit Rajonal të Sfidave, konsorciumet përfituese do të mundësojnë trajnimin e profesionistëve të rinj në sektorë me potencial të lartë zhvillimi, përfshirë teknologjinë e informacionit dhe komunikimit (TIK), sigurinë kibernetike, përpunimin e ushqimit dhe menaxhimin e sportit.
Këto investime synojnë t’u ofrojnë të rinjve aftësi të kërkuara nga punëdhënësit, duke rritur mundësitë e tyre për punësim dhe për të siguruar vende pune me paga më të mira në Kosovë.
Mbështetja për pesë projektet vlerësohet si një hap drejt forcimit të arsimit profesional dhe rritjes së konkurrueshmërisë së ekonomisë së vendit.
Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve arsimore, sektorit privat dhe partnerëve ndërkombëtarë konsiderohet thelbësor për zhvillimin e një fuqie punëtore të kualifikuar dhe krijimin e perspektivave të reja të karrierës për të rinjtë në Kosovë./Telegrafi/

