Rishpallet për së treti herë tenderi për blerjen e autobusëve të rinj për Qytetin e Shkupit nga Ministria e Transportit. Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, shprehu keqardhje që tenderi i Qeverisë për blerjen e autobusëve të rinj dështoi për herë të dytë. Në seancën e fundit të Këshillit, në përgjigje të kritikave të këshilltarëve, tha se kaosi me transportin publik në kryeqytet do të normalizohet pas ardhjes së 100 autobusëve elektrik për Shkupin dhe 50 autobusë të rinj për qytete tjera të blerë nga Qeveria.
“Tenderi është në proces është hapur sërish dhe shpresoj se do të ketë sukses kjo procedurë, jam i vetëdijshëm se në çfarë vështirësi po kalojnë qytetarët. Më besoni po japim gjithçka nga vetja, edhe dje kishim seancë në Këshill, kemi riparuar 40 autobusë që janë vënë në funksion, por nuk janë të duhur ata autobus për qytetarët e Shkupit. Neve na duhen autobusë të rinj”, tha Orce Gjorgjievski.
Komisioni Shtetëror për Ankesa të Prokurimit Publik në fund të muajit maj anuloi tenderin për blerjen e 150 autobusëve elektrikë dhe 75 stacioneve të karikimit, në të cilin si ofertues më të favorshëm u zgjodhën kompania hungareze “Electrobus-Ikarus” dhe EVN austriake.
Vendimi erdhi pasi njëra nga katër kompanitë që konkurruan në thirrjen publike paraqiti ankesë në Komisionin. Kjo është përpjekja e dytë e pasuksesshme e Qeverisë për të blerë autobusë elektrikë. Tenderi i parë, i shpallur në qershor 2025, dështoi për shkak se i vetmi ofertues i regjistruar nuk i plotësonte kushtet.
“Unë do të isha më i lumturi nëse do të realizohej procedura e tenderimit, duke marrë parasysh që askush nuk priste të anulohej. Informacionet që kisha nga Ministri ishin në kahjen pozitive, ne filluam me përgatitje që Qyteti ta vë në lëvizjen flotën e vozitjes, po ndodhi kjo që ndodhi nuk mund asgjë të ndryshojmë, duhet të shohim përpara me procedurën e re tenderuese që besoj se do të ketë sukses”, deklaroi Orce Gjorgjievski.
Vlera e përllogaritur e gjithë blerjes, sipas njoftimit të publikuar nga Byroja e Prokurimit Publik, ishte rreth 51 milionë euro. Nga 150 autobusë, 100 do të jenë për qytetin e Shkupit, ndërsa 50 të tjerët për qytetet tjera. Autobusët e rinj pritet të lehtësojnë lëvizjen e banorëve të Shkupit, gjë që me këta të vjetrit ka përgjysmuar numrit të pasagjerëve në NQP-së në dekadën e fundit./TV21/
