KORREKT / SOT20 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Gjendja me mbeturina, Musmurati: Murati po e bllokon kredinë prej 74 milionë eurosh për menaxhimin e tyre

Gjendja me mbeturina, Musmurati: Murati po e bllokon kredinë prej 74 milionë eurosh për menaxhimin e tyre

Nënkryetarja e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka kritikuar ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, për mosnënshkrimin e kredisë prej 74 milionë eurosh, e cila synon përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave në rajonin e Prishtinës.

Musmurati ka thënë se situata me menaxhimin e mbeturinave është në një fazë kritike, ndërsa ka theksuar se nënshkrimi i kësaj kredie do të mundësonte zgjidhjen e një pjese të madhe të problemeve.

“Jemi në një fazë tepër kritike sa i përket menaxhimit të mbeturinave. Është shumë e thjeshtë, zgjidhja është në dorën e Hekuran Muratit sot, sepse është një kredi prej 74 milionë eurosh që është negociuar prej vitit 2023 deri tash. Edhe Komuna e Prishtinës, Kompania ‘Pastrimi’, Banka Gjermane e Zhvillimit, Ministria e Financave dhe Ministria e Ambientit janë dakorduar përgjatë viteve që të ecet përpara me këtë kredi”, ka deklaruar Musmurati.Ajo ka thënë se ekziston edhe një vendim i Qeverisë së Kosovës, i datës 18 dhjetor, i nënshkruar nga kryeministri Albin Kurti, për miratimin e nismës për nënshkrimin e kësaj kredie.

“Është tepër e çuditshme që Hekuran Murati nuk e nënshkruan. Më 18 dhjetor është vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i nënshkruar nga kryeministri Kurti, që e aprovon nismën e Qeverisë për ta nënshkruar këtë kredi prej 74 milionë eurosh, që të ndihmohet Kompania Rajonale ‘Pastrimi’ në mbledhjen e mbeturinave”, është shprehur ajo.

Sipas Musmuratit, me këtë kredi parashihet blerja e 100 kamionëve shtesë, 10 mijë kontejnerëve dhe ndërtimi i qendrës së parë të riciklimit në Kosovë.

“Pra, janë 74 milionë euro për ta pastruar të gjithë rajonin e Prishtinës, jo vetëm qytetin, por të gjithë rajonin, përfshirë Komunën e Drenasit dhe të gjitha komunat e tjera që i takojnë këtij rajoni”, ka thënë Musmurati.

Ajo ka bërë të ditur se më 15 maj 2026, Komuna e Prishtinës, Kompania Rajonale “Pastrimi” dhe Banka Gjermane e Zhvillimit i kanë dërguar një letër të përbashkët ministrit Murati, duke kërkuar nënshkrimin e kredisë.

“Jemi munduar të kemi mirëkuptim, ka pasur procese zgjedhore e të tjera. Më 15 maj 2026, Kompania ‘Pastrimi’, Komuna e Prishtinës dhe Banka Zhvillimore Gjermane i kemi dërguar një letër të përbashkët ministrit Murati, sepse e kemi ditur që nuk po e nënshkruan. Asnjëherë nuk na ka dhënë ndonjë sqarim se pse nuk po e nënshkruan dhe asnjëherë nuk ka komunikuar me ne”, ka deklaruar ajo.

Musmurati ka thënë se për këtë çështje i është drejtuar edhe Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar angazhim nga deputetët për të ushtruar presion ndaj ministrit.

“I kemi dërguar letër zyrtare dhe e kemi lutur që ta nënshkruajë këtë marrëveshje, por ende nuk është nënshkruar. I kam shkruar edhe Kuvendit që t'i bëjë presion Muratit, sepse ai nuk po e nënshkruan këtë vendim. Kërkoj edhe nga deputetët që kërkojnë votë në Prishtinë që të merren me këtë çështje edhe në Parlament”, ka thënë Musmurati.

Në fund, ajo ka ngritur dyshime se mosnënshkrimi i kredisë nga Murati mund të ketë prapavijë politike.

“Nuk mund të mendoj që ka ndonjë arsye tjetër, pos inatit politik me Komunën e Prishtinës, e për këtë po e bllokon pastrimin e qytetit”, është shprehur nënkryetarja e Prishtinës.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.