Ish-zyrtari amerikan, David Rush është arrestuar në Virginia pasi agjentët e FBI-së gjetën në shtëpinë e tij 303 shufra ari, të vlerësuara mbi 40 milionë dollarë.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Rush gjatë vitit të kaluar kishte kërkuar disa herë nga qeveria amerikane ar dhe valuta të huaja për “shpenzime të lidhura me punën”, ndërsa më pas i kishte marrë ato materiale.
Javën e kaluar ndaj tij u ngrit aktakuzë për vjedhje të parave publike dhe deri në seancën dëgjimore ai do të qëndrojë në paraburgim.
Mediat amerikane raportojnë se Rush deri vonë mbante një pozitë të lartë në CIA. FBI-ja njoftoi se arrestimi u krye më 19 maj, pasi CIA, pas një hetimi të brendshëm, raportoi shkelje të mundshme të ligjit.
– YouTube www.youtube.com
“Pasi hetimi i brendshëm i CIA-s konstatoi shkelje të mundshme të ligjit, drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, ia përcolli informacionet FBI-së për hetim penal”, thuhet në deklaratën e FBI-së.
Dokumentet gjyqësore thonë se Rush kishte qasje në informacione sekrete dhe autorizim të nivelit më të lartë të besueshmërisë. Hetuesit e akuzojnë gjithashtu se kishte gënjyer për arsimimin dhe shërbimin ushtarak gjatë punësimit, si dhe kishte përdorur në mënyrë të rreme pushimin ushtarak duke përfituar mijëra dollarë.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij në Virginia më 18 maj, agjentët përveç 303 shufrave të arit, secila me peshë rreth një kilogram, gjetën edhe rreth dy milionë dollarë para në dorë dhe 35 orë luksoze, mes tyre disa Rolex.
Dokumentet gjyqësore nuk sqarojnë pse Rush mbante arin dhe paratë në shtëpinë e tij, ndërsa nuk ekziston asnjë evidencë që ai ta ketë njoftuar punëdhënësin se çfarë kishte ndodhur me fondet që kishte marrë për nevoja zyrtare. /Telegrafi/
