FIFA është vënë nën presion që të ndërmarrë masa të ashpra ndaj deri në gjashtë futbollistëve të Argjentinës përpara finales së Kupës së Botës 2026 kundër Spanjës.
Skuadra e drejtuar nga Lionel Scaloni siguroi kualifikimin në finalen e madhe pas fitores me përmbysje 2-1 ndaj Anglisë, falë golave të Enzo Fernandez dhe Lautaro Martinez. Megjithatë, polemikat nuk u kufizuan vetëm në fushën e lojës.
Para ndeshjes së zhvilluar në stadiumin e Atlantës, disa futbollistë argjentinas u filmuan duke kënduar këngë që lidhen me Ishujt Falkland (Malvinas), territor për të cilin Argjentina dhe Britania e Madhe zhvilluan luftë në vitin 1982.
Pas eliminimit të Anglisë, polemikat u shtuan edhe më shumë, pasi disa lojtarë të Argjentinës u panë duke mbajtur një pankartë me mbishkrimin “Las Malvinas son Argentinas” (“Malvinat janë argjentinase”).
Sipas rregulloreve të FIFA-s, deklaratat dhe mesazhet politike janë të ndaluara në aktivitetet zyrtare të futbollit, çka ka bërë që shumë persona të kërkojnë ndëshkimin e lojtarëve argjentinas.
Mes zërave më të fortë është ai i politikanit britanik Ed Davey, lider i Partisë Liberal Demokrate, i cili i ka bërë thirrje FIFA-s të pezullojë gjashtë futbollistë të Argjentinës për finalen ndaj Spanjës.
Ai e krahasoi rastin me atë të vitit 2024, kur UEFA pezulloi për një ndeshje Rodrin dhe Alvaro Moratën pasi kënduan sloganin “Gibraltari është Spanjë” gjatë festimeve.
“Në gusht të vitit 2024, Rodri dhe Alvaro Morata u pezulluan me të drejtë për një ndeshje pasi kënduan ‘Gibraltari është Spanjë’. Tani edhe lojtarët argjentinas që festuan me pankartën ‘Falklandet janë argjentinase’ duhet të ndalohen të luajnë në finale”, deklaroi Davey.
Në një intervistë për Sky Neës, politikani britanik zbuloi se i ka dërguar një letër presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.
“Këto janë rregullat që ai duhet t’i zbatojë dhe të sigurojë që respektohen. Ajo që bënë lojtarët argjentinas ishte një deklaratë e qartë politike dhe një shkelje e rregulloreve të FIFA-s. Është gjithashtu fyese për banorët e Ishujve Falkland dhe familjet e veteranëve që humbën jetën gjatë pushtimit të paligjshëm”, u shpreh ai./Telegrafi/
