KORREKT / SOT8 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Gjashtë vjet qeverisje, Bajrami pyet Kurtin: Ku janë projektet e mëdha të përfunduara?

Gjashtë vjet qeverisje, Bajrami pyet Kurtin: Ku janë projektet e mëdha të përfunduara?

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë Kurti për mungesë të realizimit të projekteve të mëdha kapitale dhe shpenzim të ulët të buxhetit të planifikuar për investime.

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka ngritur pikëpyetje lidhur me projektet e përfunduara gjatë gjashtë viteve të qeverisjes së Kurtit, duke kërkuar që të përmendet të paktën një projekt i madh kapital i realizuar.

“A mund ta përmendni një projekt të madh kapital të përfunduar nga Qeveria Kurti? Jo një projekt të premtuar. Jo një projekt të buxhetuar. Një projekt të përfunduar”, ka shkruar Bajrami.

Ajo ka pretenduar se, pavarësisht miliarda eurove buxhet, shumë projekte infrastrukturore vazhdojnë të mbeten të papërfunduara dhe të barten nga viti në vit.

Sipas Bajramit, rrugët Prishtinë–Podujevë, Prishtinë–Gjilan, Prishtinë–Mitrovicë, Kijevë–Zahaq dhe Dollc–Gjakovë janë ndër projektet që ende nuk kanë përfunduar.

Bajrami është ndalur edhe te shifrat e realizimit të investimeve kapitale, duke iu referuar Raportit Nëntëmujor Financiar të Ministrisë së Financave. Ajo ka thënë se deri në fund të shtatorit 2026 janë realizuar 376.85 milionë euro nga 998.4 milionë euro të planifikuara, apo rreth 37 për qind e buxhetit vjetor.

Sipas saj, 82.11 milionë euro nga shuma e regjistruar si shpenzime kapitale janë pagesa për vendime gjyqësore.

“Pra, jo çdo euro e regjistruar si shpenzim kapital përfaqëson investim kapital në terren”, ka theksuar ajo.

Deputetja e LDK-së ka kritikuar edhe planifikimin e investimeve për vitin 2027, duke përmendur disa projekte për të cilat, sipas saj, janë ndarë mjete të pamjaftueshme ose nuk është paraparë fare buxhet.

Ndër projektet që ka përmendur janë Unaza e Prishtinës, rruga Duhël–Banullë, Rruga e Dukagjinit dhe ndërtimi i digave.

Ajo ka përmendur gjithashtu 23 çerdhe që, sipas saj, figurojnë në projektbuxhetin e vitit 2027 me zero euro të ndara për atë vit.

Në reagimin e saj, Bajrami ka kritikuar edhe numrin e kontratave njëburimore, duke thënë se gjatë kësaj qeverisjeje janë lidhur 2.913 kontrata të tilla.

Në fund, deputetja ka kërkuar më shumë përgjegjësi në menaxhimin e parasë publike.

“ Kosova ka nevojë për investime, jo për propagandë. Ka nevojë për një qeverisje që di t’i kthejë paratë publike në zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët”, ka shkruar Bajrami.

Ajo ka përfunduar reagimin duke thënë se suksesi i një qeverie nuk matet me premtimet, por me projektet dhe investimet e realizuara. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.