Zyrtarët bëjnë të ditur se gjashtë persona kanë humbur jetën pasi një zjarr i madh ka rënë në një ndërtesë banimi në Brooklyn, New York.
Departamenti i Zjarrfikësve të New York njoftoi përmes një deklarate se disa persona të tjerë kanë mbetur të lënduar nga zjarri, i cili ka ndodhur herët në mëngjesin e së enjtes.
Më shumë se 230 zjarrfikës dhe punonjës të shërbimeve mjekësore urgjente janë dërguar në vendngjarje, transmeton klankosova.tv
Shkaku i zjarrit është aktualisht nën hetim.
Sipas BBC, në vendngjarje është dërguar gjithashtu një ekip i specializuar për materiale të rrezikshme, për shkak të pranisë së një baterie litium-jon, ndonëse nuk është e qartë nëse kjo ka lidhje me zjarrin.
Sipas raportimeve, ekipet e emergjencës kanë konstatuar, sapo kanë mbërritur, se kati i parë dhe i dytë i ndërtesës ishin përfshirë nga flakët.
Trupat e katër prej viktimave janë gjetur në vendngjarje. Dy persona të tjerë janë gjetur në gjendje kritike për jetën dhe më vonë kanë ndërruar jetë. Raportimet në mediat amerikane janë të ndryshme lidhur me faktin nëse ata kanë vdekur në spital apo gjatë rrugës për në spital.
Departamenti i Zjarrfikësve bëri të ditur se gjashtë civilë të tjerë kanë mbetur të lënduar – dy prej tyre në gjendje kritike – së bashku me tre zjarrfikës.

