Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka vlerësuar se Kosova e ka humbur betejën energjetike që në vitet e para pas luftës, për shkak të dështimit të investimeve në kapacitete të reja prodhuese, duke u bërë kështu e varur nga importi i energjisë elektrike.
Duke komentuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe, Gërxhaliu ka thënë se kjo varësi e kufizon mundësinë e vendit për të zgjedhur burimet e furnizimit, ndërsa pasojat e mungesës së investimeve do t’i bartin edhe gjeneratat e ardhshme.
“Eshtë e vërtetë që Kosova e ka humb betejën energjetike që në fillim të lirisë, do të thotë diku në vitet 2002-2003, kur kanë dështuar investimet në kapacitetet e reja prodhuese, qoftë Kosova e Re, qoftë edhe burimet tjera alternative. Fakti që jemi shtet me më shumë thengjill dhe kemi pasur një orientim në energji alternative, dhe nga të gjitha këto investime sot prodhohet vetëm një numër shumë i vogël i kilovatëve të rrymës elektrike, e vërtetë Kosovën e ka bërë të varur nga importi”, tha Gërxhaliu për EO.
Gërxhaliu për Ekonomia Online ka thënë se varësia nga importi e kufizon mundësinë e Kosovës për të zgjedhur burimet e furnizimit, veçanërisht në kohën kur edhe vendet e tjera po përballen me sfida në furnizimin me energji elektrike.
“Në këtë drejtim, vetë fakti që je i varur nga importi, e ke pak mundësi për të zgjedhur se nga ku do të furnizohesh. Në veçanti tani, kur jo vetëm Ballkani perëndimor, jo vetëm Kosova, por edhe Europa është, do të thotë në një farë sfide të furnizimit me energji elektrike, falë edhe krejt kësaj që duke ndodhur qoftë në luftë mes Rusisë dhe Ukrainës, qoftë në problemet me naftë, por definitivisht është një humbje e madhe që do ta paguajnë gjeneratat që do të vijnë”, shtoi.
Ai ka theksuar se nuk duhet të humbet kohë duke kërkuar përgjegjësit për dështimin e projekteve energjetike, por të ketë më shumë transparencë në importin e energjisë elektrike.
“Nuk duhet të humbim kohë të gjejmë fajtorin pse kanë dështuar të gjitha këto projekte, por koston e dyshimit sot po e paguajnë ekonomia e Kosovës, sot po e paguajnë qytetari i Kosovës, dhe në vend që të jemi një shtet eksportues i energjisë elektrike, ne jemi shteti më i varur nga importi i energjisë elektrike. Në këtë drejtim duhet vërtet të kemi më tepër transparencë në import”, potencoi ai.
Gërxhaliu ka theksuar se mungesa e balancës mes ofertës dhe kërkesës mund ta detyrojë Kosovën të përballet me ndërprerje të energjisë ose të blejë rrymë nga burimet ku ajo është në dispozicion.
“Duhet të kuptohet që ekziston një ligj që quhet oferta dhe kërkesa, dhe në momentet kur kemi debalancë të ofertës dhe kërkesës, ti do të jesh i varur të ballafaqohesh ose me terrin, ose me blerjen e rrymës aty ku ka. Prandaj në këtë drejtim duhet të kuptohet që Serbia ka pasur pozicion strategjik në këtë drejtim, jo vetëm përmes Bosnje-Hercegovinës dhe Republikës Srpska, por në këtë drejtim besoj që do të ishim qytetarë më të lumtur që të ketë një alternativë për furnizim, nga e cila alternativë do të përfitojë ekonomia, do të fitojë qytetari rrymë më të lirë”, tha ai.
Ai ka thënë se ndryshimi i rrugës së furnizimit nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshim të burimit të energjisë, duke kërkuar që politikanët të fokusohen edhe në pavarësinë ekonomike të vendit.
“Mirëpo e tëra kjo ka ndodh sepse është vetëm një alokim i rrugës apo i rutës së furnizimit me energji elektrike, kur dihet fare mirë që ekziston burimi i shitjes dhe shitja është zakonisht nga këto dy vende, nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Por sidoqoftë është një momentum i cili duhet vërtet të vetëdijësojë edhe qytetarët, edhe bizneset, por dhe politikanët që të gjejnë rrugë që të jemi të pavarur ekonomikisht dhe jo të mendojnë vetëm pavarësi politike, sepse në qoftë se nuk je i pavarur në aspektin ekonomik dhe në furnizim me energji elektrike, atëherë ne do të flasim për ekonomi, por objektivat për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe për stabilitet social do të jenë larg”, tha ai.
Më 16 nëntor, Qeveria e Kosovës e ka ndaluar tregtimin e energjisë elektrike me kompani serbe të energjisë, për shkak të, siç tha, vendimit të Serbisë për t’i mbajtur të bllokuara linjat ndërkufitare për tregtim tash e pothuajse shtatë vjet.
Ky vendim, sipas kryeministrit Albin Kurti, vjen pasi Serbia nuk e ka zbatuar kërkesën e Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë për t’i zhbllokuar dy linjat e interkoneksionit ndërkufitar, prej 400 kilovatësh, më 1 korrik.
Duke folur në një mbledhje të kabinetit të tij qeveritar të hënën, Kurti tha se Kosova po vendos kundërmasa ndaj Serbisë në fushën e energjisë, sepse “gjendja do të përshkallëzohet në të ardhmen, nëse nuk ka reflektim” nga shteti fqinj.
Kundërmasat e Kosovës përfshijnë ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me ndërmarrjet me origjinë nga Serbia, pra: blerjen, shitjen, importin dhe eksportin e energjisë elektrike, qoftë drejtpërdrejt apo përmes transitit, ose rishitjes.

