Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka shkruar se “çnjohja” nga Togo ka ardhur në vitin 2019, shumë përpara se të vinte në detyrë Qeveria Kurti.
Ajo ka shkruar se më e pakta që do të duhej të ndodhte është unifikimi karshi “çnjohjeve” dhe propagandës së Daçiqit e Vuçiqit
“Të dhëmbin sytë kur sheh se sa shumë përjargen disa, sa herë që Sllobo i Vogël përpiqet t’i japë një shqelm Kosovës”, ka shkruar ajo në Facebook.
Megjithatë ajo është shprehur e bindur se Kosova do ta fitojë betejën.
“Daçiçi, Vuçiçi dhe të gjithë djelmoshat e tjerë të Kasapit të Ballkanit ndoshta edhe mund ta fitojnë ndonjë sprint, por Kosova dhe qytetarët e saj përfundimisht do ta fitojnë maratonën, siç e kanë fituar në vitet e 90-ta. Në mos për asgjë tjetër, atëherë për hir të sakrificës së dhimbshme dhe kolosale në rrugën tonë drejt lirisë”, ka shkruar Gërvalla-Schwarz.
Postimi i plotë:
Shumë shkurt, në fund të një dite të ngjeshur me plot takime pozitive për Kosovën dhe rrugën e saj euroatlantike:
Të gjithë të ekzaltuarve rreth “ç’njohjes” së Togos dhe propagandës së Daçiçit dua t’iu rikujtoj që ajo ka ndodhur në vitin 2019, pra shumë kohë para se vinte në detyrë kjo qeveri.
Më e pakta që do të duhej të ndodhte pas një propagande të tillë të përsëritur dhe fushatës kundër Kosovës është qëndrimi unik ndaj propagandës së Daçiçit dhe Vuçiçit, jo vetëm rreth “ç’njohjeve”.
Të dhëmbin sytë kur sheh se sa shumë përjargen disa, sa herë që Sllobo i Vogël përpiqet t’i japë një shqelm Kosovës.
Kosova do ta fitojë betejën e saj sot, ashtu siç e ka fituar në 1999. Me mençuri, trimëri, guxim, sakrificë e përplot miq e aleatë anembanë botës së lirë dhe demokratike. Dhe Serbia përsëri do të humbasë, siç ka humbur 1999, sepse e vërteta gjithmonë fiton mbi gënjeshtrën.
Daçiçi, Vuçiçi dhe të gjithë djelmoshat e tjerë të Kasapit të Ballkanit ndoshta edhe mund ta fitojnë ndonjë sprint, por Kosova dhe qytetarët e saj përfundimisht do ta fitojnë maratonën, siç e kanë fituar në vitet e 90-ta. Në mos për asgjë tjetër, atëherë për hir të sakrificës së dhimbshme dhe kolosale në rrugën tonë drejt lirisë