Separatisti katalanas dhe ish-udhëheqësi rajonal, Carles Puigdemont, deklaroi të mërkurën se do t'i japë fund mërgimit të tij vullnetar gati dhjetëvjeçar në Belgjikë dhe do të kthehet në Spanjë më 12 dhjetor, pas zgjedhjeve kombëtare të kësaj fundjave.
Puigdemont, problemet ligjore të të cilit në Spanjë kanë marrë fund pasi Gjykata e Lartë – në fillim të kësaj jave – zbatoi një ligj amnistie për të mbyllur çështjen penale kundër tij, njoftoi në një konferencë shtypi të transmetuar nga Brukseli se më 17 dhjetor do të prezantojë propozimin e tij për një përpjekje të re drejt pavarësisë së Katalonjës.
"Do të kthehem në vendin tim, në Katalonjë, pa pasur nevojë të kërkoj leje apo falje nga autoritetet spanjolle dhe pa hequr dorë nga asgjë," u tha ai gazetarëve.
Puigdemont u largua drejt Belgjikës në tetor të vitit 2017, pasi organizoi një referendum për pavarësi, të cilin gjykatat spanjolle e shpallën të paligjshëm. Ky votim shkaktoi krizën më të rëndë politike në Spanjë në dekadat e fundit dhe thelloi tensionet midis Madridit dhe Katalonjës – një rajon i pasur në verilindje, me gjuhën dhe kulturën e vet, si dhe me një lëvizje të fuqishme separatiste.
Amnistia, e miratuar nga parlamenti në vitin 2024, ishte pjesë e një marrëveshjeje midis Partisë Socialiste të kryeministrit Pedro Sanchez dhe grupeve separatiste katalanase – përfshirë partinë "Junts" të Puigdemont-it – të cilat siguruan mbështetjen e tyre për rizgjedhjen e Sanchez-it në vitin 2023, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Opozita konservatore spanjolle u përpoq, pa sukses, ta kundërshtonte këtë masë si në gjykata, ashtu edhe në parlament.
Edhe pse ai do të kthehet pas zgjedhjeve të së dielës, Puigdemont mund të jetë i pranishëm në kohë për negociatat mbi aleancat paszgjedhore, në varësi të rezultatit.

