KORREKT / SOT3 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Gashi akuzon Drejtorinë e Arsimit në Klinë për mungesë të ngrohjes dhe neglizhencë ndaj sigurisë së nxënësve, kundërpërgjigjet drejtori i Arsimit

Gashi akuzon Drejtorinë e Arsimit në Klinë për mungesë të ngrohjes dhe neglizhencë ndaj sigurisë së nxënësve, kundërpërgjigjet drejtori i Arsimit

Asamblistja e Kuvendit Komunal të Klinës, Jehona D. Gashi, ka ngritur sërish shqetësimet për mungesën e ngrohjes në shkollat e kësaj komune dhe sigurinë e nxënësve në hapësirat shkollore. Ajo ka akuzuar se ngrohja mungon në rreth 90 për qind të shkollave, ndërsa ka kritikuar drejtorin e Arsimit, Qemajl Sejdija, për mënyrën se si ka trajtuar ankesat e prindërve.

Përmes dy reagimeve publike, Gashi ka thënë se shqetësimet e prindërve janë reale dhe se temperaturat e ulëta po vështirësojnë zhvillimin normal të procesit mësimor.

Ajo ka përmendur disa shkolla ku, sipas saj, vazhdon të ketë probleme me ngrohjen, përfshirë ato në Ujmirë, Jashanicë, Gjimnazin në Klinë dhe Qabiq.

Ndërkaq, sipas Gashit, në shkollën e Gjurgjevikut të Madh prindërit kanë paralajmëruar bojkotimin e mësimit nëse ngrohja nuk lëshohet sa më parë.

“A janë edhe fëmijët që po kolliten nga të ftohtit pjesë e ‘shfaqjes’ së prindërve?”, ka pyetur Gashi, duke iu referuar deklarimeve të mëparshme të drejtorit të Arsimit.

Ajo ka thënë se në shkollën për të cilën kishte marrë drejtpërdrejt ankesa nga prindërit, ngrohja tashmë është lëshuar.

“Pra, pas asaj që drejtori e quajti ‘shfaqje’, u ndërmor një veprim konkret. Kjo dëshmon se kërkesat e prindërve nuk ishin shfaqje, por shqetësim i drejtë dhe i domosdoshëm”, ka deklaruar ajo.

Gashi u ka bërë thirrje institucioneve që të vizitojnë shkollat dhe të shohin nga afër kushtet në të cilat po zhvillohet mësimi.

“Ejani dhe vizitoni shkollat! Shihni fëmijët me hundë të skuqura, që kolliten nga të ftohtit. Në kushte të tilla, nuk mund të flasim për zhvillim normal të procesit mësimor”, ka shkruar ajo.

Në reagimin tjetër, Gashi ka rikujtuar shqetësimet që kishte ngritur gjatë seancës së Kuvendit Komunal të Klinës lidhur me gjendjen e infrastrukturës shkollore, konkretisht në shkollat “Motrat Qiriazi” dhe “Ismet Rraci”.

Ajo ka thënë se në shkollën “Motrat Qiriazi” shtyllat e dëmtuara në fushën sportive, të cilat sipas saj ishin mbajtur me gurë, u kanë rënë nxënësve në kokë.

Ndërsa në shkollën “Ismet Rraci”, sipas saj, një pjesë e telave të rrethojës së fushës sportive është shkëputur, duke paraqitur rrezik për nxënësit.

Gashi ka thënë se kishte kërkuar që gjatë pushimit deri të hënën të zgjidhej problemi i ngrohjes dhe të riparoheshin rrethojat e dëmtuara.

Ajo ka kritikuar qasjen e drejtorit të Arsimit ndaj këtyre shqetësimeve, duke kërkuar që institucionet të veprojnë para se të ndodhë ndonjë incident.

“Zotëri Qemajl Sejdija, detyra juaj është të parandaloni fatkeqësitë, jo të prisni që ato të ndodhin për të marrë masa! A duhet të lëndohet edhe një nxënës tjetër që institucionet të reagojnë?”, ka deklaruar Gashi.

Në fund, ajo ka thënë se do të vazhdojë t’i përfaqësojë qytetarët dhe të ngrejë shqetësimet e tyre në Kuvendin Komunal, pavarësisht reagimeve që mund të ketë.

“Kërkesat e prindërve nuk janë shfaqje. Janë përgjegjësi që kërkojnë zgjidhje! Siguria e fëmijëve tanë nuk negociohet dhe nuk duhet të neglizhohet”, ka përfunduar ajo.

Drejtori i Arsimit në Klinë, Qemajl Sejdiu, në një përgjigje për Telegrafin, ka thënë se në shkollën “Motrat Qiriazi” ka filluar ngrohja nga e hëna.

Sa i përket shkollës “Ismet Rraci”, ai ka deklaruar se rrethoja e fushës sportive nuk paraqet rrezik, pasi është e vendosur me rrjetë të butë.

“Sa i përket rrethojës së fushës në shkollën ‘Ismet Rraci’, ju sigurojmë se nuk paraqet aspak rrezik, pasi fusha është e rrethuar me tel rrjetë të butë. Sapo të krijohen mundësitë për lidhjen e kontratës për renovime, kjo çështje do të sanohet”, ka deklaruar Sejdiu.

Ai ka sqaruar se procedura për renovimin e rrethojës nuk është shpallur deri më tani për shkak të obligimeve financiare që kanë rrjedhur si pasojë e Kontratës Kolektive.

Lidhur me furnizimin me pelet, Sejdiu ka thënë se procedura e furnizimit është në fazën përfundimtare dhe se janë bërë organizime që shkollat të mos mbesin pa ngrohje deri në përfundimin e saj.

Ndërkaq, për ankesat e prindërve, drejtori ka deklaruar se në Drejtorinë Komunale të Arsimit nuk kanë pranuar kërkesa zyrtare.

“Sa i përket ankesave, ato janë ngritur vetëm nga asamblistja në fjalë. Në DKA nuk kemi pranuar asnjë kërkesë të tillë”, ka thënë Sejdiu për Telegrafin. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.