Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ka përfunduar numërimi i mbi 47 për qind të votave për kandidatët për deputetë në zgjedhjet parlamentare, ndërsa procesi po vazhdon në qendrat komunale të numërimit në gjithë vendin.
Sipas të dhënave të deritanishme, janë numëruar 1.174 nga gjithsej 2.498 vendvotime.
Teksa po vazhdon numërimi i votave për kandidatët për deputetë, rezultatet preliminare tregojnë se kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, është kandidati më i votuar i kësaj partie.
Sipas të dhënave të deritanishme, Hamza ka siguruar 54.625 vota, duke kryesuar bindshëm listën e kandidatëve të PDK-së.
Pas tij renditet Përparim Gruda me 34.242 vota, ndërsa i treti është Arian Tahiri me 29.793 vota.
Në mesin e kandidatëve më të votuar të Partisë Demokratike të Kosovës janë edhe:
Uran Ismaili – 26.697 vota
Sala Jashari – 18.853 vota
Vlora Çitaku – 18.420 vota
Ganimete Musliu – 14.393 vota
Arben Mustafa – 12.995 vota
Mergim Lushtaku – 12.830 vota
Enver Hoxhaj – 12.489 vota
Rezultatet janë ende preliminare dhe bazohen në numërimin e deritanishëm të votave në qendrat komunale të numërimit./Telegrafi.
