Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kërkuar shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, për shkak të mungesës së saj në mbledhjen e Qeverisë ku u themelua grupi punues për hartimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e Apelit për ish-krerët e UÇK-së në Hagë.
Përmes një postimi, Musliu ka thënë se shkarkimi i Gërvallës nga kabineti qeveritar duhet të jetë i menjëhershëm dhe i padiskutueshëm.
Sipas deputetes së PDK-së, ministrja e Drejtësisë kishte munguar edhe në ditën kur ishte votuar Ligji për Dhomat e Specializuara.
Musliu ka vlerësuar se mungesa e ministres në momente të tilla nuk është thjesht mungesë në një mbledhje, por, sipas saj, dëmton besueshmërinë e angazhimit shtetëror për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.
“Një çështje kaq e ndjeshme kërkon përgjegjësi”, ka shkruar Musliu, duke shtuar se mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së kërkon seriozitet dhe përgjegjësi shtetërore.
Në fund të reagimit të saj, deputetja e PDK-së ka akuzuar Gërvallën se ka zgjedhur të jetë “në anën e kundërt të historisë”, duke përsëritur kërkesën për shkarkimin e saj. /Lajmi.net/
Postimi i plotë:

