Gani Geci ka folur në emisionin “Kosova Today” lidhur me arrestimin e tij, pas dyshimeve për kanosje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj, duke mohuar një pjesë të raportimeve për mënyrën se si kishte ndodhur shoqërimi i tij në polici.
Geci ka thënë se në momentin kur është ftuar nga policia ka qenë në një lokal dhe se i është përgjigjur menjëherë thirrjes së zyrtarëve policorë.
“E vërteta është kjo. Kam qenë në lokal dhe jam ftuar me telefon. Nuk jam burrë që nuk i përgjigjem ftesës së Policisë së Kosovës. Të gjitha të tjerat kanë qenë rrena. Unë kam shkuar para televizionit, me iu tregu që edhe nga sokaku e mundi rrenën, dhe ajo u bë publike”, ka deklaruar Geci, transmeton Klankosova.tv.
Ai ka mohuar raportimet se ndaj tij ishte organizuar ndonjë aksion i njësisë speciale.
“Për rrenën, njësia speciale, për ato sirena, kanë qenë rrena. Jam thirrur në telefon dhe, duke hyrë unë në derë, telefonin e kam pasur në dorë, del lajmi: ‘U arrestua’. I takova dy policë, më thanë: ‘Jemi duke të pritur’. Shkova. Nuk e pengoj policinë kur më thërrasin. Jam burrë që u lajmërohem institucioneve të Kosovës, prej kujtdo qofshin të dirigjuara”, ka thënë ai.
Geci ka treguar se pasi ka shkuar në polici, është njoftuar se dëshironin ta intervistonin dhe se ai ishte pajtuar me këtë kërkesë.
“Kam shkuar, kam hyrë brenda, kanë thënë se po duan të të intervistojnë, ‘OK’, kam thënë”, është shprehur Geci.
Duke folur për raportimet lidhur me rastin, ai ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, gazetari e kishte paraqitur ngjarjen, duke thënë se kishte komunikuar me të para takimit.
“Narracioni i gazetarit nuk është me kriju hamendje. Kam komunikuar me gazetarin e Vox Kosova para se të takohesha me të. Kam folur me të para se të takoheshim”, ka deklaruar Geci./Klankosova.tv

