Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se, me urdhër të Prokurorit kujdestar, është ndaluar për 48 orë një person me inicialet G.G., për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale ‘’Kanosja’’, nga neni 181 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas dyshimeve fillestare, i dyshuari G.G., ka kanosur gazetarin L.M., për shkak të ushtrimit të detyrës dhe profesionit të tij.
Në kuadër të veprimeve hetimore, janë intervistuar i dëmtuari L.M., dhe i dyshuari G.G. me qëllim të grumbullimit dhe mbledhjes së informatave relevante lidhur me rastin. Gjithashtu, Prokurori i çështjes ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe sigurimit të provave relevante për zhvillimin e procedurës së mëtejshme.
Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e gazetarëve dhe garantimin e sigurisë së tyre, si dhe në respektimin e plotë të lirisë së shprehjes. /Telegrafi/

