Galatasaray ka regjistruar një fitore të madhe në shtëpi, duke mposhtur skuadrën angleze Aston Villa me rezultat minimal 1:0, në kuadër të xhiros së pestë të garës.
Edhe pse gjiganti turk u paraqit me mungesa të rëndësishme në përbërje, përfshirë edhe sulmuesin kryesor Victor Osimhen që mungoi për shkak të lëndimit, vendasit arritën të marrin tri pikë mjaft të vlefshme, transmeton IndeksOnline.
Aston Villa e nisi ndeshjen dukshëm më mirë dhe krijoi disa raste të pastra shënimi përmes Maatsen dhe Harwood-Bellis, por portieri i Galatasarayt u tregua i pakalueshëm.
Kur askush nuk e priste, në minutën e 77-të, pas një tollovie në zonën e rreptësisë pas një harkimi nga këndi, Deniz Gül u gjend në vendin e duhur për të shënuar me kokë golin e fitores.
Në minutat e mbetura anglezët tentuan barazimin, por mbrojtja turke rezistoi deri në fund, duke bërë që të dyja skuadrat tani të kenë nga 9 pikë në tabelë.
Me rezultat të njëjtë (1:0) u mbyll edhe përballja tjetër e kësaj mbrëmjeje, ku norvegjezët e Bodo/Glimt arritën të triumfojnë me mund ndaj austriakëve të LASK-ut.
Skuadra skandinave menaxhoi mjaft mirë takimin dhe ruajti epërsinë minimale deri në vërshëllimën e fundit, duke arkëtuar tri pikë të arta. / IndeksOnline

