Interesimi i jashtëzakonshëm për përballjen mes Galatasarayt dhe Barcelonës ka bërë që biletat të shiten të gjitha, ndërsa çmimet në tregun e zi kanë arritur shifra marramendëse.
Ndeshja mes Galatasarayt dhe Barcelonës ka hyrë në histori të futbollit turk edhe pa u luajtur ende. Përballja e vlefshme për Ligën e Kampionëve ka ngjallur interesim të jashtëzakonshëm, ndërsa çmimet e biletave kanë arritur deri në 75 mijë lira turke, duke e bërë këtë sfidë më të shtrenjtën e zhvilluar ndonjëherë në futbollin e Turqisë.
Pavarësisht çmimeve të larta, kërkesa për bileta ka qenë e jashtëzakonshme dhe të gjitha vendet në stadiumin “RAMS Park” janë shitur.
Tifozët e Galatasarayt pritet të krijojnë një atmosferë elektrizuese në përballjen ndaj gjigantit katalanas, në një ndeshje që ka tërhequr vëmendje të madhe jo vetëm për atë që pritet të ndodhë në fushë, por edhe për çmimet e pazakonta të biletave.
Operacion kundër shitjes së paligjshme të biletave
Interesimi i madh për këtë takim ka sjellë edhe probleme me tregun e zi. Sipas raportimeve nga mediat turke, autoritetet kanë zhvilluar një operacion kundër personave të dyshuar për shitjen e paligjshme të biletave për ndeshjen.
Si rezultat i këtij aksioni, nëntë persona të dyshuar janë arrestuar.
Përballja mes Galatasarayt dhe Barcelonës, e planifikuar për të martën në Stamboll, është shndërruar kështu në një ngjarje të jashtëzakonshme edhe jashtë fushës së blertë.
Çmimet rekorde dhe kërkesa e madhe dëshmojnë interesimin e jashtëzakonshëm për këtë duel evropian, ku Galatasaray do të synojë të përfitojë nga mbështetja e tifozëve përballë njërës prej skuadrave më të mëdha në botë. /Zëri

