Mbrojtësi i Arsenalit, Gabriel Magalhaes, ka thënë se klubi londinez do të mbetet “përgjithmonë në zemrën e tij”, teksa “Topçinjtë” janë pranë një sezoni historik me synimin për ta fituar Ligën Premier dhe Ligën e Kampionëve.
Arsenali e mposhti Atletico Madridin në mesjavë për ta siguruar finalen e kompeticionit më të madh evropian për klube, për herë të parë pas plot 20 vitesh. Ndërkohë, tri fitore në tri ndeshjet e fundit në kampionat do t’i mjaftonin skuadrës së Mikel Artetës për ta fituar titullin e parë në Ligën Premier që nga viti 2004.
Braziliani ka qenë një nga shtyllat kryesore të Arsenalit që nga ardhja e tij në vitin 2020 dhe ka folur me superlativa për mbështetjen e tifozëve gjatë këtyre viteve.
“I mendoj se që nga momenti kur erdha në Arsenal, jam pritur shumë mirë. Pra, është një klub që do ta kem në zemër përgjithmonë”.
“Jam shumë i lumtur këtu. Ndihem si në shtëpi, familja ime e do klubin. Ka qenë shumë e kënaqshme për mua të kem gjithë këtë kohë me fanellën e Arsenalit, prandaj sigurisht dua të arrij gjëra të mëdha këtu”.
“Jam afër gjashtë vitesh në klub. Kam ende ëndrra për t’i realizuar këtu. Jam i lumtur dhe shpresoj të sjell shumë gëzim për tifozët që e meritojnë”, shtoi ai.
Gabriel foli edhe për atmosferën brenda grupit, duke theksuar se skuadra po e përjeton situatën me qetësi, pavarësisht se janë vetëm disa ndeshje larg arritjeve që mund t’ua përcaktojnë karrierën.
“Po jetojmë një moment… një vit shumë intensiv, sepse të gjithë e dinë se jemi në garë në çdo kompeticion”.
“Kemi një grup shumë të mirë, ku të gjithë lojtarët janë të lumtur dhe kanë mundësi. Pritshmëritë tona janë që të shkojmë hap pas hapi”.
“Sigurisht që duam të fitojmë trofe, por e dimë se është shumë e vështirë. Megjithatë, duhet ta mbajmë në mendje se mund t’ia dalim.
“Jemi shumë të qetë për këtë. Natyrisht ka presion, nga jashtë flitet shumë, por ne këtu jemi me kokën në vend dhe të fokusuar në atë që na pret”, theksoi mbrojtësi.
Gabriel numëron 17 paraqitje me Brazilin, ndërsa me Arsenalin ka zhvilluar 257 ndeshje, duke shënuar 24 gola./Telegrafi/