Forca e Sigurisë së Kosovës në bashkëpunim me kompaninë SimSpace, ka organizuar ushtrimin ndërinstitucional “Digital Siege 2026”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve publike, akademike dhe bankare të Republikës së Kosovës.
Ushtrimi u realizua nga Njësia e Sinjaleve dhe Kibernetikës, përmes Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike të FSK-së, me qëllim të avancimit të kapaciteteve profesionale dhe rritjes së gatishmërisë për reagim ndaj incidenteve kibernetike, transmeton Klankosova.tv.
Sipas njoftimit të FSK-së, gjatë ushtrimit, pjesëmarrësit patën mundësinë të testojnë aftësitë e tyre për identifikimin, trajtimin dhe përballimin e incidenteve kibernetike. Krahas pjesës teorike, u zhvilluan edhe skenarë të ndryshëm praktikë, të cilët synuan të forcojnë njohuritë dhe aftësitë për reagim efektiv ndaj kërcënimeve në hapësirën kibernetike.
Një nga objektivat kryesore të “Digital Siege 2026” ishte edhe forcimi i koordinimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, duke nxitur shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira ndërmjet sektorëve të ndryshëm.

