Tensionet mes Rusisë dhe Danimarkës janë përshkallëzuar pasi një fregatë ruse ka lëshuar dy raketa sinjalizuese drejt një helikopteri ushtarak danez në ujërat ndërkombëtare pranë Gedserit.
Incidenti ndodhi më 14 shtator, në hapësirën ajrore ndërkombëtare në jug të qytetit danez Gedser, bëri të ditur Komanda e Mbrojtjes së Danimarkës, ndërsa rasti u raportua nga media daneze TV2.
Helikopteri AS-550 Fennec i Forcave Ajrore Mbretërore Daneze po kryente një mision rutinë të fotografimit dhe mbikëqyrjes ajrore të një anijeje luftarake ruse që ndodhej në ujërat ndërkombëtare.
Sipas autoriteteve daneze, anija ruse lëshoi dy raketa sinjalizuese drejtpërdrejt në drejtim të helikopterit. Njëri prej tyre kaloi shumë pranë trupit të helikopterit.
Megjithatë, incidenti nuk shkaktoi viktima. Ekuipazhi i helikopterit nuk pësoi lëndime dhe mjeti fluturues nuk u dëmtua, transmeton Telegrafi.
Ministri danez i Mbrojtjes, Jeppe Bruus, e dënoi ashpër incidentin dhe njoftoi se Ministria e Jashtme e Danimarkës do të thërrasë ambasadorin rus për t’i komunikuar një protestë zyrtare diplomatike.
“Ky është një incident serioz, të cilin Danimarka e trajton me shumë rëndësi”, deklaroi Bruus.
“Me sa di unë, kjo është hera e parë që përballemi me një incident të kësaj natyre dhe kjo tregon qartë se rusët po bëhen gjithnjë e më të gatshëm të ndërmarrin rreziqe. Është një incident serioz dhe pikërisht për këtë arsye po thërrasim ambasadorin rus”, shtoi ministri.
Incidenti vjen në një periudhë të rritjes së shqetësimeve daneze për aktivitetet ruse në rajon dhe për rrezikun e përshkallëzimit të incidenteve mes forcave të të dyja vendeve.
Vetëm pak ditë para incidentit, më 3 shtator, kreu i kundërzbulimit në Shërbimin Danez të Sigurisë dhe Inteligjencës (PET), Emil Gresholm, deklaroi se shërbimet daneze të inteligjencës kishin zbuluar plane konkrete operacionale dhe veprime përgatitore të organizuara nga inteligjenca ruse.
Sipas Gresholmit, këto plane kishin të bënin me operacione sabotazhi kundër objekteve të industrisë daneze të mbrojtjes.
Zhvillimet e fundit kanë rritur shqetësimet në Kopenhagë për aktivitetet e Moskës dhe për mundësinë e incidenteve të tjera në hapësirën ajrore dhe ujërat ndërkombëtare pranë territorit danez. /Telegrafi/