Francis Halzen është shpallur fitues i Çmimit Nobel në Fizikë për kontributin e tij në Observatorin e Neutrinove IceCube dhe zbulimin e neutrinove me energji të lartë me origjinë astrofizike.
Çmimi u njoftua të martën në Stokholm nga Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave, transmeton Telegrafi.
Nobeli në Fizikë këtë vit shoqërohet me një shpërblim prej 12 milionë koronash suedeze, rreth 1.2 milionë dollarë, pavarësisht nëse çmimi i jepet një individi, një grupi të vogël shkencëtarësh apo një organizate.
Halzen është i lidhur ngushtë me IceCube, një nga projektet më të rëndësishme për studimin e neutrinove kozmike. Këto grimca subatomike janë jashtëzakonisht të vështira për t’u zbuluar, por mund të ofrojnë të dhëna për disa prej fenomeneve më energjetike në Univers.
Njoftimi i Nobelit në Fizikë vjen një ditë pas çmimit në Mjekësi, i cili iu dha tre shkencëtarëve për punën që çoi në zhvillimin e një teknologjie që përdor dritën për të ndihmuar në kuptimin e mënyrës se si funksionon truri.
Vitin e kaluar, Nobeli në Fizikë iu dha tre shkencëtarëve për kërkimet mbi sjelljen e pazakontë të grimcave subatomike përmes tunelimit kuantik. Puna e tyre ndihmoi në zhvillimin e matjeve jashtëzakonisht të ndjeshme të përdorura nga aparaturat e rezonancës magnetike, si dhe kontribuoi në përparimin e telefonave celularë dhe kompjuterëve më të shpejtë.
Ndarja e çmimeve Nobel vazhdon të mërkurën me Çmimin në Kimi, ndërsa të enjten shpallet fituesi në Letërsi.
Çmimi Nobel për Paqe do të shpallet të premten, ndërsa Çmimi Memorial Nobel në Shkencat Ekonomike do të bëhet i ditur të hënën. /Telegrafi/