Kupa e Botës 2026 debutoi me formatin e ri me 48 kombëtare, duke sjellë më shumë ekipe, histori të reja dhe emocione.
Megjithatë, pas përfundimit të fazës së grupeve, mbetet pyetja nëse ky ndryshim e ka bërë turneun më konkurrues.
Një nga historitë më të bukura ishte ajo e Kepit të Gjelbër, që arriti një kualifikim historik në mesin e 32 skuadrave më të mira, duke eliminuar Uruguain nga faza e grupeve. Ky sukses u konsiderua si një nga përfitimet më të mëdha të zgjerimit të Botërorit në 48 ekipe.
Edhe Kurasao shkroi historinë duke u bërë shteti më i vogël që ka marrë pjesë ndonjëherë në Kupën e Botës. Edhe pse nuk arriti të kualifikohej, fitoi një pikë të vlefshme ndaj Ekuadorit.
Po ashtu, barazimi i Kongos me Portugalinë i siguroi kombëtares afrikane një vend në fazën me eliminim direkt, duke shtuar një tjetër histori suksesi në këtë Botëror.
Favoritët kaluan pa shumë vështirësi
Pavarësisht këtyre rrëfimeve, përfaqësueset më të mëdha nuk u vunë pothuajse fare në rrezik. Kjo ndodhi për shkak të formatit që lejon kualifikimin edhe të skuadrave të renditura në vendin e tretë, si dhe kriterit të FIFA-s që i jep përparësi rezultateve në ndeshjet direkte kur ekipet kanë pikë të barabarta.
Si rezultat, katër kombëtare fituan grupet një ndeshje para fundit, ndërsa pesë skuadra u eliminuan para xhiros së tretë, duke ulur ndjeshëm emocionet në fund të fazës së grupeve.
Nga 12 skuadrat favorite, vetëm Portugali nuk arritën ta mbyllnin grupin në vendin e parë. Ndërkohë, tetë nga 12 skuadrat që përfunduan në vendin e tretë siguruan gjithashtu kualifikimin, duke minimizuar rrezikun për ekipet e mëdha.
Yjet nuk zhgënjyen
Faza e grupeve ishte edhe një skenë për emrat më të mëdhenj të futbollit botëror. Lionel Messi, Kylian Mbappé, Erling Haaland, Cristiano Ronaldo dhe Harry Kane shënuan gola, duke konfirmuar rolin e tyre si protagonistë të turneut.
Megjithatë, Kupa e Botës nuk ndërtohet vetëm mbi yjet. Pikërisht në fazën e grupeve marrin jetë historitë e skuadrave më të vogla dhe futbollit nga kontinente të ndryshme.
Edhe këtë edicion, përfaqësueset evropiane dhe ato të Amerikës së Jugut vazhduan dominimin në turne. Befasia më e madhe ishte eliminimi i Uruguait, ndërsa ekipet aziatike u konsideruan zhgënjimi më i madh i fazës së grupeve.
Kritika për formatin e ri
Përzgjedhësi i Ganës, Carlos Queiroz, skuadra e të cilit avancoi si e treta, e kritikoi formatin e ri, duke e cilësuar atë si “vulgar dhe të zakonshëm”.
Sipas tij, gara për vendin e tretë nuk ishte plotësisht e drejtë, pasi skuadrat që luanin më vonë kishin avantazhin e njohjes së rezultateve të rivalëve.
Edhe BBC vlerëson se faza e grupeve këtë vit u ndje më shumë si një hyrje drejt turneut të vërtetë, ndërsa emocionet reale të Kupës së Botës nisën vetëm me fazën e eliminimit direkt. /Telegrafi/
