Kombëtarja e Kosovës do të përballet sonte (e enjte) me Izraelin në “Nagyerdei Stadion” në Debrecen të Hungarisë, në kuadër të ndeshjes së tretë të Grupit B3 të Ligës së Kombeve.
Kosova dhe Izraeli përballen sonte nga ora 20:45, në një duel të rëndësishëm për Grupin B3, me Dardanët që synojnë rezultat pozitiv në Debrecen.
Përzgjedhësi Franco Foda pritet të bëjë disa ndryshime të rëndësishme në formacionin titullar të “Dardanëve”, përfshirë gjithë repartin sulmues në një rreshtim me skemën 3-4-3.
Në portë pritet të luajë Amir Saipi, i cili do ta zëvendësojë Arijanet Muricin, e dëmtuar ndaj Austrisë, pasi portieri i Sassuolos nuk është rikuperuar plotësisht.
Treshja e mbrojtjes pritet të përbëhet nga Lumbardh Dellova, Ilir Krasniqi dhe Ron Raci, ashtu sikurse ndaj Austrisë. Foda kërkon stabilitet në prapavijë, ndërsa krahasuar me ndeshjen e fundit, ndryshimet në këtë repart janë më të kufizuara.
Në mesfushë pritet të luajnë Dion Gallapeni Veldin Hoxha, Leon Avdullahu dhe Mërgim Vojvoda. Avdullahu dhe Hoxha do të kenë rol qendror, ndërsa Vojvoda dhe Gallapeni pritet të japin gjerësi në krahë dhe të kontribuojnë në të dyja fazat e lojës.
Ndryshimet më të mëdha vijnë në repartin sulmues. Foda pritet ta ndryshojë të gjithë sulmin nga ndeshja e fundit ndaj Austrisë, duke lënë jashtë Vedat Muriqin, Ermal Krasniqin dhe Baton Zabërgjën.
Në treshen e re sulmuese pritet të jenë Milot Rashica, Fisnik Asllani dhe Edon Zhegrova, me Asllanin në qendër dhe Zhegrovën e Rashicën nga krahët.
I vetmi balotazh thuhet të jetë ai në mes të Rashicës dhe Vedat Muriqit, pasi me inkuadrimin e sulmuesit prizrenas, atëherë Asllani do të kalonte në krahun e majtë të sulmit. /Telegrafi/