Forcat Ajrore Mbretërore britanike (RAF) kanë përdorur për herë të parë dronë për të monitoruar aktivitetin detar rus pranë brigjeve të Mbretërisë së Bashkuar, bëhet e ditur në një raportim të publikuar mbrëmjen e kaluar.
Ky zhvillim vjen pas paralajmërimeve të ekspertëve ushtarakë se anijet e presidentit rus Vladimir Putin mund të përdoren për të lëshuar dronë të telekomanduar, të cilët mund të marrin pjesë në një sulm masiv ndaj Britanisë, transmeton Telegrafi.
Ministria britanike e Mbrojtjes bëri të ditur se gjatë muajit të fundit, një dron britanik i paarmatosur i tipit Protector RG1 ka fluturuar mbi Kanalin Anglez. Ai ka siguruar më shumë se dhjetë orë mbikëqyrjeje dhe mbledhjeje të informatave, në bashkëpunim me anijet luftarake dhe helikopterët e Marinës Mbretërore, gjatë ndjekjes së një anijeje luftarake ruse.
Në mes të kritikave për nivelin e financimit të mbrojtjes nga qeveria laburiste dhe shqetësimeve se kjo mund ta lërë Britaninë të ekspozuar ndaj një sulmi rus, zyrtarët kanë bërë të ditur se aktiviteti i Marinës Mbretërore për monitorimin e lëvizjeve ruse është rritur me 25 për qind gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Anijet ruse janë përcjellë teksa monitoronin kabllot kritike nënujore të Britanisë. Si përgjigje, Ministria e Mbrojtjes ka ndarë edhe 330 milionë paund për katër vjet, për të forcuar monitorimin dhe mbikëqyrjen e shtratit të detit, si dhe për të zhvilluar kapacitete më të avancuara kundër nëndetëseve.
Një komandant i lartë ushtarak paralajmëroi se një sulm me dronë rusë mund të nisë brenda pak minutash nga një anije pranë brigjeve britanike dhe të drejtohet kundër infrastrukturës në pjesë të ndryshme të vendit.
“Na nevojitet gatishmëri më e madhe dhe kjo kërkon financim, pra më shumë investime në mbrojtje tani, jo nesër”, tha burimi.
Ai shtoi se Britania duhet të ketë më shumë aeroplanë në ajër dhe anije në det, pavarësisht madhësisë së tyre, me qëllim monitorimin e lëvizjeve të mjeteve detare.
“Sistemet e mbikëqyrjes janë thelbësore për të parandaluar çdo depërtim rus. Kemi raketa të reja të drejtuara me lazer, të afta për të shkatërruar dronët, por na duhet një sistem paralajmërimi që t’i japë RAF-it kohë të ngrihet në ajër”, deklaroi ai.
Sipas tij, qeveria laburiste nuk po e vlerëson sa duhet kërcënimin që ndodhet pranë kufijve të vendit.
Moska ka dërguar tashmë dronë në Poloni, Moldavi, Lituani, Norvegji dhe Danimarkë. Ndërkohë, zyrtarët e inteligjencës paralajmërojnë se Britania mund të jetë objektivi i radhës, ndërsa Kremlini vazhdon të kërkojë hakmarrje për mbështetjen që Londra i jep Ukrainës.
Një nga mjetet më efektive kundër dronëve është helikopteri Wildcat, i pajisur me mitralozë, i cili mund të shkatërrojë shpejt një grup të madh dronësh.
Tim Ripley, analist i lartë në organizatën Defence Eye, tha se ushtria britanike ka disa kapacitete të dobishme për t’u përballur me dronët e vegjël, por i nevojitet një sistem paralajmërimi për të aktivizuar mbrojtjen në vendet e duhura.
Sipas tij, kjo mund të arrihet vetëm përmes patrullimeve më të shpeshta ajrore dhe detare, për të monitoruar anijet pranë brigjeve britanike, të cilat mund të çaktivizojnë sistemin e tyre automatik të identifikimit (AIS) për t’iu shmangur radarëve.
“Çdo anije mund të lëshojë një grup dronësh. Na duhet një plan emergjent për identifikimin e mjeteve të dyshimta, në mënyrë që më pas të aktivizojmë njësitë ajrore dhe sistemet kundërmasë në tokë”, tha Ripley.
Ndërkaq, sekretari britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, deklaroi se përdorimi i dronit Protector në bashkëpunim me anijet dhe helikopterët e Marinës Mbretërore përbën një zhvillim të ri në monitorimin e aktivitetit pranë brigjeve të vendit.
“Për herë të parë, Protector iu bashkua anijeve luftarake dhe helikopterëve të Marinës Mbretërore në monitorimin e aktivitetit pranë brigjeve tona. Kjo dëshmon se ne vazhdimisht po zhvillojmë mënyra të reja për të monitoruar dhe parandaluar kërcënimet dhe provokimet e papërgjegjshme”, tha ai. /Telegrafi/

