Fondacioni Bullgar “Maqedonia” njoftoi se do të bllokojë të dielën tre pikat kufitare midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Bllokimi, siç njoftoi Fondacioni, është i koordinuar me Ministrinë e Punëve të Brendshme Bullgare dhe do të zgjasë dy orë, nga ora 11:00 deri në orën 13:00.
Qëllimi i bllokadës, siç thekson Fondacioni në një postim në Facebook, është t’i tregojë në mënyrë demonstrative kryeministrit Hristijan Mickoski se nuk mund të vazhdojë me persekutimin e bullgarëve në vend, me sulmet dhe, siç thonë ata, me vendimet e sajuara gjyqësore kundër bullgarëve.
“A jeni gati të bllokoni në mënyrë demonstrative dhe paqësore tre pikat kufitare me Maqedoninë e Veriut dhe t’i tregoni Mickoskit se kjo nuk mund të vazhdojë dhe se ne do të reagojmë ndaj këtij agresioni që Shkupi po kryen kundër nesh! Le t’i tregojmë Mickoskit dhe regjimit të tij se nuk mund të vazhdojnë të tallen me Bullgarinë dhe popullin bullgar!”, shtojnë nga Fondacioni “Maqedonia”.
Kjo vjen pas djegies së dy automjeteve diplomatike në Ambasadën Bullgare në Shkup dy ditë më parë, një akt që u vlerësua si një formë terrorizmi. Qëllimi i bllokadës, siç theksojnë nga Fondacioni bullgar “Maqedonia”, nuk është të pengojë qytetarët të kalojnë kufirin, por t’i tregojë Kryeministrit Mickoski se autoritetet në Shkup nuk mund të vazhdojnë me represionin./Telegrafi/
