Raporti njeh progresin e rëndësishëm të arritur nga BQK-ja në forcimin e mbikëqyrjes së sektorit financiar, mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, zbatimin e procesit të rishikimit dhe vlerësimit mbikëqyrës (SREP/SRP), testimit të qëndrueshmërisë, politikës makroprudenciale dhe qeverisjes institucionale.
Kështu u bë e ditur pwrmes njw njoftimi nga BQK-ja, duke shtuar se po ashtu, raporti konfirmon se sistemi financiar i Kosovës mbetet përgjithësisht i qëndrueshëm, me banka të mirëkapitalizuara, nivel të ulët të kredive joperformuese dhe rezerva të likuiditetit mbi kërkesat rregullative.
“Raporti i FMN-së thekson se, që nga FSSR i parë, BQK-ja ka avancuar reforma të rëndësishme, përfshirë forcimin e mbikëqyrjes bankare të bazuar në rrezik, avancimin e kornizës së SREP, zbatimin e standardeve rregullative të ndërlidhura me Basel III, si Raporti i Levës, LCR dhe NSFR, si dhe aktivizimin e instrumenteve makroprudenciale. Raporti gjithashtu njeh progresin në vendosjen e kornizës makroprudenciale, përfshirë përcaktimin e Bankave me Rëndësi Sistemike Vendore dhe vendosjen e Shtesës Kundërciklike të Kapitalit”, thuhet në njoftim.
Tutje siç thuhet në njoftim raporti vlerëson progresin e BQK-së në forcimin e aranzhimeve institucionale, kapaciteteve mbikëqyrëse, analizës së stabilitetit financiar dhe kornizave për gatishmëri ndaj krizave, duke ofruar një udhërrëfyes të qartë teknik për fazën e ardhshme të reformave.
“Këto rekomandime do të mbështesin përpjekjet e vazhdueshme të BQK-së për të avancuar më tej efektivitetin mbikëqyrës, monitorimin e rreziqeve sistemike, infrastrukturën e të dhënave, politikën makroprudenciale dhe qëndrueshmërinë e sektorit financiar. BQK-ja shpreh mirënjohjen për Fondin Monetar Ndërkombëtar, Departamentin për Tregje Monetare dhe të Kapitalit, ekipin e misionit të FSSR-së, si dhe donatorët e Fondit për Stabilitetin e Sektorit Financiar (FSSF), mbështetja e të cilëve ka kontribuar në avancimin e asistencës teknike dhe zhvillimit të kapaciteteve në fusha kyçe të stabilitetit financiar”.
BQK-ja mbetet e përkushtuar për zbatimin e reformave në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat e Bashkimit Evropian, me qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar, forcimin e qëndrueshmërisë institucionale dhe mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit financiar në Republikën e Kosovës.
Këtu mund ta lexoni raportin e plotë: https://www.imf.org/en/publications/technical-assistance-reports/issues/2026/05/01/republic-of-kosovo-technical-assistance-report-financial-sector-stability-review-follow-up-575786/