Nëse ende nuk jeni gati t’i thoni lamtumirë shkëlqimit të verës, lajmi i mirë është se nuk keni pse
Hair bronzing është trendi i ri i bukurisë që u jep flokëve ngrohtësi, nuanca të arta dhe atë efekt sikur dielli sapo i ka prekur, edhe kur vera tashmë po largohet.
Ashtu si bronzeri i jep fytyrës një pamje të nxirë nga dielli, hair bronzing u shton flokëve tone më të ngrohta dhe më të ndritshme, duke i bërë të duken më me shkëlqim dhe më të pasura. Sezonet e fundit kemi parë rikthimin e ngjyrave të ngrohta, nga terracopper te teddy bear blonde, ndërsa tani kjo tendencë po zgjerohet edhe më shumë.
Nëse jeni bionde – koha për nuanca të arta
Biondet këtë sezon mund t’i lënë pak mënjanë tonet shumë të ftohta dhe t’u drejtohen nuancave të arta, mjaltë dhe më të ngrohta.
Rezultati është një ngjyrë më e butë dhe më elegante, që flokëve u jep thellësi dhe shumë më tepër shkëlqim.
Toffee blonde
Toffee blonde është një version më luksoz i trendit të njohur bronde – kombinimi i nuancave bionde dhe kafe, këtë herë me një dimension më të ngrohtë dhe kremoz.
Nuk është as bionde klasike, as kafe e pastër, por diçka ndërmjet tyre, me reflektime karameli. Avantazhi është se përshtatet me tone të ndryshme të lëkurës dhe krijon një ndryshim të butë, natyral dhe elegant.
Nëse jeni brune – vetëm pak më shumë “diell”
Brunet këtë vjeshtë nuk kanë nevojë për ndryshim drastik. Disa nuanca më të çelëta, të vendosura me kujdes, mund t’i japin flokëve efektin sikur kanë kaluar disa javë nën diellin e verës.
Bronzed brunette
Bronzed brunette është zgjedhje ideale për ato që duan të mbeten brune, por t’u japin flokëve më shumë ngrohtësi.
Efekti arrihet bukur me teknikën balayage, duke kombinuar tone më të errëta bionde dhe nuanca më të çelëta kafe që shkrihen me bazën natyrale.
Rezultati është një ngjyrë e ngrohtë, bronzi dhe shumë elegante, pa pasur nevojë që të çelen të gjithë flokët. Një tjetër avantazh është mirëmbajtja relativisht e lehtë.
Këtë tendencë e kanë mbajtur edhe Eva Longoria dhe Penélope Cruz, ndërsa për nuancat e tyre është kujdesur stilisti i flokëve Dimitris Giannetos.
Po nëse dëshironi diçka më të guximshme?
Atëherë vjen në skenë burgundy brown, një nga nuancat më interesante të ngrohta të sezonit.
Pas suksesit në manikyr, ngjyra bordo-kafe po kalon edhe te flokët. Bëhet fjalë për një kafe të thellë me reflektime të lehta të kuqe dhe vjollcë, që duket veçanërisht bukur mbi një bazë kafe.
Rezultati është një ngjyrë shumëdimensionale që ndryshon sipas dritës, duke i bërë flokët të duken më të pasur dhe më me shkëlqim.
Këtë nuancë e kemi parë edhe në tapetin e kuq, ndërsa ndër emrat që e kanë mbajtur me sukses është Amy Adams.
Nëse vera ka lënë gjurmë në flokët tuaj dhe nuk dëshironi ta humbni menjëherë atë efekt të ngrohtë e të ndritshëm, hair bronzing mund të jetë mënyra më e bukur për ta zgjatur pak më shumë ndjesinë e verës. /Telegrafi/