Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, është i shqetësuar për gjendjen fizike të Eric Garcías dhe Gerard Martínit, të cilët u detyruan të largoheshin nga fusha për shkak të problemeve fizike në fitoren 5-2 ndaj Betisit.
Flick nuk dha detaje konkrete për gjendjen e dy mbrojtësve, duke theksuar se duhet të priten rezultatet e ekzaminimeve mjekësore.
“Duhet të presim dhe të shohim rezultatet”, deklaroi trajneri gjerman.
Shqetësimi është i madh, pasi Barcelona të martën përballet me Paris Saint-Germainin në një ndeshje të rëndësishme. Stafi mjekësor do të vlerësojë nëse dy futbollistët do të jenë të gatshëm për këtë takim.
Pavarësisht shqetësimeve, Flick u shpreh i kënaqur me paraqitjen ndaj Betisit.
“Nuk ishte një ndeshje e lehtë. Betisi ishte fantastik për nga shpejtësia dhe intensiteti, por edhe ne luajtëm shumë mirë dhe e merituam fitoren”, përfundoi ai. /Zëri

